jump over navigation bar
Embassy SealDepartamenti i Shtetit i Sh.B.A.
Ambasada E Shteteve Të Bashkuara (Tiranë, Shqipëri) - Faqja Kryesore flag graphic
Ambasada
 
  Ambasadori Rreth Ambasadës Seksionet e Ambasadës Zyra e Marrëdhënieve me Publikun Deklarata për Shtyp 2006 - Deklarata 2007 - Deklarata 2008 - Deklarata Aktivitete të Ambasadës Mundësi Punësimi Adresa të ndryshme Festat për 2008

Raporti i Departamentit të Shtetit mbi Praktikat e të Drejtave të Njeriut për 2006 - SHQIPËRIA (6 mars 2007)

Republika e Shqipërisë është një demokraci parlamentare me një popullsi prej afro 3.6 milionë njerëz. Autoritetin legjislativ e ka Kuvendi Popullor me një dhomë (parlamenti), i cili zgjedh si kryeministrin ashtu edhe presidentin. Kryeministri kryeson qeverinë, ndërkohë që presidenca është një pozicion kryesisht ceremonial me pushtet të kufizuar ekzekutiv. Zgjedhjet parlamentare të Korrikut 2005 nuk përmbushën plotësisht standardet ndërkombëtare, por përgjithësisht u konsideruan një hap përpara në zhvillimin demokratik të vendit. Edhe pse me vonesë, në shtator ndodhi një tranzicion paqësor i pushtetit. Autoritetet civile përgjithësisht mbajtën kontroll efektiv mbi forcat e sigurisë.
 
Qeveria përgjithësisht i respektoi të drejtat e njeriut të qytetarëve të saj; megjithatë, pati probleme thelbësore në një numër fushash. Arrestimet dhe kushtet e paraburgimit vazhduan të ishin një fushë shqetësimi i madh me raportime për raste abuzimi, dhune, dhe kushtesh çnjerëzore. Korrupsioni dhe mosndëshkimi i policisë vazhduan të mbeteshin problem. Pati vrasje shoqërore dhe një atmosferë frike në disa zona për shkak të gjakmarrjes tradicionale. Dhuna dhe diskriminimi shoqëror kundër grave dhe fëmijëve ishin problem, ashtu si edhe trafikimi i personave. Diskriminimi shoqëror kundër homoseksualëve, romëve, dhe egjiptianëve të ballkanit gjithashtu vazhdoi.
 

RESPEKTI PËR TË DREJTAT E NJERIUT


Seksioni 1 Respekt për Integritetin e Personit, Përfshi Lirinë Nga:
 
a.     Privimi Arbitrar apo i Jashtëligjshëm i Jetës
 
Nuk pati raportime se qeveria apo agjentët e saj kryen vrasje arbitrare apo të jashtëligjshme; megjithatë, vendi vazhdoi të përjetonte nivele të larta vrasjesh shoqërore. Shumë vrasje erdhën si rezultat i veprimeve individuale apo klanore të lidhura me “gjakmarrjen” tradicionale apo me konfliktet me bandave kriminale. Sipas ministrisë së brendshme, të paktën pesë persona u vranë gjatë vitit në gjakmarrje të bazuara mbi Kodin mesjetar të Lekë Dukagjinit (kanuni). Afërisisht gjashtë persona u vranë për hakmarrje. Komiteti i Pajtimit Kombëtar (KPK), një organizatë joqeveritare, vlerësoi se në mbarë vendin pati 78 vdekje nga hakmarrja.
 
Sipas KPK, afro 860 familje efektivisht ishin vetëizoluar gjatë vitit për shkak të gjakmarrjes. Mosmarrëveshjet mbi pronën ishin shkaku për katër të pestat e gjakmarrjeve të deklaruara formalisht, ndërsa pjesa tjetër lidheshin me çështje nderi apo shkelje të banesës (p.sh., vjedhja, hyrja në prone, etj.). KPK vlerësoi se pati disa qindra gjakmarrje shtesë që buronin nga trafikimi, të cilat në mënyrë tipike nuk janë të deklaruara formalisht jashtë turpit. Nga 738 familjet e raportuara si efektivisht të vetëizoluara në vitin 2005, 166 u larguan nga vendi, përfshi 93 familje që kërkuan azil formal politik në vende të tjera.
 
KPK pretendoi që frika nga hakmarrja ndaloi afro 182 fëmijë të ndiqnin shkollën, 86 nga të cilët ishin të kufizuar brenda shtëpive të tyre në mënyrë të përhershme. Tradicionalisht, sipas kanunit, i cili u praktikua sidomos në pjesën veriore të vendit, vetëm meshkujt e rritur janë shënjestra të pranueshme në gjakmarrje. Megjithatë, gratë dhe fëmijët shpesh u vranë apo plagosën në sulme ngaqë kanuni nuk u respektua plotësisht.
Sipas Fondacionit për Zgjidhjen e Konflikteve dhe Pajtimin e Mosmarrëveshjeve, fenomeni i gjakmarrjes u intensifikua në pjesën veriore të vendit si rezultat i migrimit të rritur brenda vendit. Fshatarët nga mallet, të cilët kishin më shumë gjasa të ndiqniin kanunin, migruan në zona më fushore, qytete e qyteza dhe shumë ndërtuan shtëpi mbi toka të pretenduara, duke shkaktuar gjakmarrje.
 
Vrasja e vitit 2004 e Emin Spahisë, kreu i OJQsë Lidhja e Misionarëve të Paqes, e cila punonte ekskluzivisht mbi çështje të gjakmarrjes ishte ende e hapur. Një i dyshuar u arrestua por nuk është akuzuar ende formalisht.
 
Në Maj 2005, parlamenti miratoi një ligj që ngrinte një këshill bashkërendimi, kryesuar nga presidenti, për të zhvilluar një strategji kombëtare kundër gjakmarrjes dhe për të bashkërenduar veprimtaritë e agjencive qeveritare. Gjatë vitit, këshilli nuk ishte aktiv.
 
Gjykata e krimeve të rënda trajtoi çështje të gjakmarrjes. Sipas Kodit Penal, vrasja e paramenduar, kur kryhet për hakmarrje apo gjakmarrje, ndëshkohet me 20 vjet burgim.
 
b.     Zhdukja
 
Nuk pati raportime për zhdukje të motivuara politikisht.
 
c.   Tortura dhe Trajtime a Ndëshkime të Tjera të Egra, Çnjerëzore apo Degraduese
 
Kushtetuta dhe ligji i ndalojnë veprime të tilla; megjithatë, policia dhe rojet e burgjeve disa here rrahën dhe abuzuan të dyshuarit dhe të ndaluarit. Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) dhe Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut (GSHDNJ) vazhduan të raportonin se policia anembanë vendit përdori forcë të tepërt apo trajtime çnjerëzore. Sipas GSHDNJ, pjesa më e madhe e keqtrajtimeve ndodhën në kohën e arrestimit apo ndalimit fillestar. Romët, egjiptianët ballkanikë dhe homoseksualët ishin veçanërisht të prekshëm kundrejt abuzimit të policisë (shih Seksioni 5).
 
Në korrik, Komiteti për Parandalimin e Torturës (KPT) i Këshillit të Europës nxori një raport bazuar mbi inspektimet e tij të vitit 2005 në burgjet dhe qendrat e paraburgimit të vendit. Raporti dha hollësi mbi trajtim çnjerëzor dhe abuzim të përhapur gjerësisht të të burgosurve dhe të paraburgosurve. Gjatë vitit pati raportime se policia në pjesë të ndryshme të vendit, të tilla si Korça dhe Vlora, rrahu dhe keqtrajtoi persona gjatë arrestimit apo gjatë kohës në paraburgim.
 
Në maj 2005, Besnik Kosturi bëri kallëzim kundër një oficeri të policisë kriminale të Korçës, Oltion Agolli, për keqtrajtim. Oficeri sipas raportimeve e rrahu Kosturin se ky refuzoi të jepte informacion mbi një çështje të hapur. Ekspertët mjekësorë verifikuan abuzimin dhe oficeri u pezullua. Çështja iu dërgua zyrës së prokurorit të Korçës, e cila refuzoi të niste procedim formal për shkak të mungesës së provave.
 
Në maj, Zyra e Kontrollit të Brendshëm të Policisë në Vlorë mblodhi informacion mbi çështjen e Arben Belaj kundër Dritan Veizaj, një anëtar i forcave speciale të Vlorës, sepse pretendohej se kishte rrahur Belajn. Informacioni iu përcoll Prokurorisë Ushtarake të Rrethit të Vlorës dhe Veizaj u pezullua nga detyrat e tij në pritje të rezultatit përfundimtar të gjyqit.
 
Prokuroria Ushtarake e Rrethit të Shkodrës hetoi çështjen e vitit 2005 të Frendi Ndoci kundër Pjerin Lazrit dhe oficerëve të tjerë të policisë së Shkodrës për rrahjen e tij në komisariatin e policisë. Lazri u gjet fajtor dhe u gjobit afërsisht 830 USD (80,000 lekë).
 
Në disa raste, policia abuzoi të ndaluarit minorenë. Sipas Qendrës së të Drejtave të Fëmijëve të Shqipërisë (CRCA), policia disa herë përdori kërcënime, dhunë dhe tortura për të nxjerrë informacione nga minorenët. Në qershor, Amarildo Perfundi, një nxënës 18-vjeçar në shkollë të mesme nga Korça u ndalua për t’u pyetur në lidhje me një vjedhje. Shpejt pas lëshimit, Perfundi kreu vetëvrasje. Një numër organizatash të të drejtave të njeriut në vend kritikuan policinë për trajtimin e çështjes, duke cituar traumë psikologjike dhe abuzim nga ana e policisë. Avokati i Popullit hetoi dhe zbuloi që policia nuk kishte ndjekur procedurat ligjore për arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje. Avokati i Popullit arriti në përfundimin që trauma psikologjike që kishte përjetuar Perfundi e çoi në vetëvrasje. Me rekomandimin e Avokatit të Popullit, dy oficerët e përfshirë, Altin Gusho dhe Gezim Mullai, u pushuan sepse dështuan në ndjekjen e procedurave korrekte. Çështja iu përcoll prokurorisë së rrethit për hetim dhe ndjekje penale të mundshme. Prokurori gjeti se nuk kishte fakte të mjaftueshme për të ngritur akuzë kundër Gushos dhe çështja më pas u mbyll. Akuza formale janë ngritur kundër Mullait.
 
Ndryshe nga vitet e mëparshme, nuk pati raportime se policia rrahu protestues. Megjithatë, organizata aktiviste qytetare Mjaft! Raportoi që policia qëndroi pranë pa ndërmarrë veprime ndërkohë që një përkrahës i qeverisë sulmoi fizikisht një pjesëmarrës të Mjaft! Në një protestë (shih seksioni 2.b.).
 
     Kushtet e Burgjeve dhe Qendrave të Paraburgimit
 
Ministria e Drejtësisë operoi të gjitha burgjet dhe disa qendra të paraburgimit. Shumica e mjediseve të paraburgimit ishin të bashkëvendosura në komisariatet e policisë dhe administroheshin nga Ministria e Brendshme. Raporti i KPT në korrik deklaroi që kushtet brenda burgjeve dhe qendrave të paraburgimit mbetën të këqia dhe karakterizoheshin nga kushte të rrënuara, mbipopullim, cilësi e ulët ushqimi, abuzim fizik i të ndaluarve, dhe mungesë e kujdesit mjekësor. Drejtoria e Burgjeve e Ministrisë së Drejtësisë deklaroi që shumë prej problemeve të ngritura në raportin e KPT janë korrigjuar në burgjet dhe qendrat e paraburgimit që administronte ajo. KSHH konfirmoi që kushtet në mjediset e paraburgimit të administruara nga Ministria e Drejtësisë po përmirësoheshin qëndrueshëm, por që pak ose aspak përparim ishte bërë në mjediset e paraburgimit të administruara nga Ministria e Brendshme, e cila mbante 80 përqind të të gjithë të ndaluarve. Një projekt për të mbyllur të gjitha mjediset e Ministrisë së Brendshme dhe për t’i kaluar të gjithë të ndaluarit në mjedise të administruara nga Ministria e Drejtësisë ka qenë në vazhdim qysh nga viti 2003.
 
GSHDNJ dhe KSHH veçuan mjediset e administruara nga Ministria e Brendshme si shkelëset më skandaloze të të drejtave të njeriut. Sipas Drejtorisë së Burgjeve, qeveria nuk kishte plane për të rehabilituar mjedise të administruara nga Ministria e Brendshme përpara mbylljes së tyre eventuale dhe zëvendësimit me mjedise të administruara nga Ministria e Drejtësisë. Përveç infrastrukturës nën standarte, KSHH raportoi që mjediset e administruara nga Ministria e Brendshme funksiononin sipas rregulloreve të brendshme që nuk respektonin të drejtat e të ndaluarve për kujdes shëndetësor, higjienë të përshtatshme, dhe akses ndaj ajrit të pastër, argëtimit dhe medias.
 
Deri në fund të vitit, pati katër mjedise të administruara nga Ministria e Drejtësisë në ndërtim, përfshi një mjedis për shëndetin mendor në Durrës.
 
Në shtator, KSHH raportoi që të ndaluarit në mjedisin e paraburgimit administruar nga Ministria e Brendshme në Berat kryen një grevë dhe i vunë zjarrin veshjeve të krevateve për të protestuar kundër trajtimit dhe kushteve të këqija. Si rezultat, KSHH i rekomandoi qeverisë që trajtimi i të gjithë të paraburgosurve në vend duhej të qeverisej nga rregullorja e vitit 2005 e Ministrisë së Drejtësisë dhe që rregullorja më e ashpër e vitit 1999 e Ministrisë së Brendshme duhej braktisur. Sipas KSHH, rregullorja e Ministrisë së Brendshme jo vetëm që është e vjetëruar, por edhe përmbajnë dispozita që janë në kundërshtim me ligjet për të drejtat dhe trajtimin e të burgosurve.
 
Mbipopullimi mbeti një problem serioz në burgje dhe qendra paraburgimi. Drejtori i burgjeve raportoi që, deri në dhjetor, në burgje të parashikuara për 2,718 persona mbaheshin 3,060 persona, dhe 752 persona mbaheshin në qendra paraburgimi të parashikuara për 671 persona. Sipas drejtorit të burgjeve, të gjithë 50 kriminelët e dënuar që në vitin 2005 kryenin dënimet në qendra paraburgimi ishin transferuar në burgje. Ky numër nuk përfshinte 40 deri 50 të burgosurit e dënuar që mund të jenë në qendra të paraburgimit në çdo kohë në pritje të transferimit në burgje.
 
Kushtet e paraburgimit në burgun e Lezhës administruar nga Ministria e Drejtësisë, një prej më të mëdhave në vend, u përmirësuan në mënyrë thelbësore gjatë vitit. Me mbështetje të donatorëve të huaj, kushtet fizike u përmirësuan dhe rojet e administratorët e burgut përftuan trainime mbi të drejtat e njeriut.
 
Cilësia e dobët dhe pamjaftueshmëria e ushqimit vazhdoi të ishte shqetësim, sidomos për të burgosur që nuk kishin të afërm afër që t’u sillnin ushqime. Në shtator 2005, zyra e avokatit të popullit inspektoi mjediset e paraburgimit në Komisariatin Katër në Tiranë dhe mjedise të tjera paraburgimi në rrethe të tjera dhe vendosi që tetë shtetas kinezë (gjashtë burra dhe dy gra ndaluar për mbajtje dokumentash të jashtëligjshme) dhe të ndaluar të tjerë nuk po ushqeheshin. Avokati i popullit kërkoi që zyra e kryeministrit dhe ministritë e brendshme dhe të drejtësisë të ndërmerrnin masa të menjëhershme për të ndihmuar të ndaluarit dhe situate u korrigjua. Gjithashtu, shtetasve kinezë iu dha mundësia të flisnin në telefon me të afërmit.
 
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, 80 gra vuanini dënimet në Burgun 325 për gratë në Tiranë dhe 47 gra në paraburgim. Në burgun 325 u ngrit një infermieri dhe në shtator në të strehoheshin dy fëmijë.
 
Të dënuarit dhe të ndalurit minorenë ishin të ndarë nga të rriturit. Nuk pati çshtje të raportuara abuzimi seksual të minorenëve. Të gjithë minorenët e dënuar mbaheshin në krahun për të rinjtë të burgut të Vaqarrit ku merrnin arsim bazë. CRCA raportoi që minorenët ende përdornin të njëjtat mjedise argëtimi dhe higjenike si edhe të rriturit, megjithëse në kohë të ndryshme. 
 
Drejtori i burgjeve pranoi që abuzimi fizik i të burgosurve dhe korrupsioni mes rojeve dhe zyrtarëve të burgjeve ishte një problem madhor. Gjatë vitit 178 roje dhe zyrtarë u shkarkuan për korrupsion apo abuzim dhe u ngritën akuza për pesë zyrtarë të lartë burgjesh për korrupsion (shih seksioni 3).
 
Qeveria lejoi vëzhgues ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut të vizitonin si qendrat e paraburgimit ashtu edhe burgjet; nuk pati raportime për refuzime për të lejuar akses për inspektime nga vëzhgues të pavarur vendas të të drejtave të njeriut.  
 
d.     Arrestimi dhe Ndalimi Arbitrar
 
Kushtetuta dhe ligji ndalojnë arrestimin dhe ndalimin arbitrar; megjithatë, pati raportime që policia me raste arrestoi dhe ndaloi persona në mënyrë arbitrare.
 
     Roli Policisë dhe Aparatit të Sigurisë
 
Në vitin 2005, Ministria e Rendit Publik dhe Ministria e Qeverisjes Vendore u bashkuan si Ministria e Brendshme. Njësitë vendore të policisë i raportonin Ministrisë së Brendshme dhe ishin forca kryesore përgjegjëse për sigurinë e brendshme. Ushtrai ka një njësi speciale komando me 90 persona, e cila funksionon në një rol anti-terrorist nën ministrin e mbrojtjes. Ligji e lejon ministrin e brendshëm të kërkojë autoritetin mbi këtë njësi gjatë krizave të brendshme. Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) është përgjegjës për mbledhjen e informacionit të brendshëm dhe të jashtëm si edhe për kundërzbulimin. Policia e Shtetit e Shqipërisë kishte në punë rreth 12,000 oficerë.
 
Paraqitja e përgjithshme e zbatimit të ligjit mbeti e dobët. Sjellja joprofesionale dhe korrupsioni mbetën pengesa madhore për zhvillimin e një force policie civile efektive. Sipas Ministrisë së Brendshme, vetëm 40 përqind e oficerëve të policisë përftuan trainim përtej atij bazë, pavarësisht nga asistenca prej qeverive të huaja.
 
Korrupsioni mbeti problem mes forcave të policisë, dhe pagat e ulëta dhe korrupsioni i përhapur gjerësisht në shoqëri e bënë problemin të vështirë për t’u luftuar. Zyra e Kontrollit të Brendshëm e Ministrisë së Brendshme u angazhua për parandalimin, zbulimin dhe dokumentimin e korrupsionit dhe veprave të tjera penale kryer nga policia.
 
Mes janarit 2005 dhe tetorit, Zyra e Kontrollit të Brendshëm mori 127 ankesa nga publiku dhe kreu 132 hetime. Nga këto, akuzat kundër dy oficerëve u rrëzuan si të pabaza. Në 35 raste të tjera, nuk pati të dhëna të mjaftueshme që autoritetet të arrestoninn oficerët e dyshuar për kryerjen e veprave penale. Një total prej 98 oficerësh policie (përfshi 37 me grada të mesme në të larta) u akuzuan për kundravajtje, përfshi falsifikimin dhe lëshimin e jashtëligjshëm të dokumenteve të udhëtimit dhe ndihmën për kalimin e paligjshëm të kufirit. Afro 70 oficerë u pushuan gjatë periudhës për sjellje joprofesionale, përfshi korrupsionin.
 
Mosndëshkimi mbeti problem edhe pse në rënie. Në vitin 2005, avokati i popullit mori 30 ankesa kundër oficerëve të policisë për përdorim të forcës së tepërt apo keqtrajtim. Nga këto, avokati i popullit vendosi që katër ishin të vlefshme dhe pjesa tjetër u rrëzuan si të pabaza. Rekomandimet e avokatit të popullit u pranuan dhe prokuroria ngriti akuza kundër katër oficerëve të policisë.
 
     Arrestimi dhe Ndalimi
 
Me ligj, një oficer policie apo prokuror mund të urdhërojë ndalimin e një të dyshuari. Kushtetuta kërkon që personat e ndaluar duhet të informohen menjëherë për akuzat kundër tyre dhe për të drejtat e tyre, dhe një prokuror duhet njoftuar menjëherë pas ndalimit të një të dyshuari nga policia. Policia përgjithësisht i ndoqi këto kërkesa në praktikë. Brenda 48 orësh nga arrestimi apo ndalimi, i dyshuari duhet të dalë përpara një gjykatësi. Gjykatësi ka edhe 48 orë të tjera në dispozicion për të vendosur nëse i dyshuari duhet të qëndrojë i ndaluar. Në disa raste, personat e ndaluar u mbajtën në paraburgim përtej 48 orëve pa një vendim gjykate nëse prokurori kishte të dhëna të mjaftueshme.
 
Një gjykatë mund të urdhërojë ndalimin në çështje veçanërisht serioze që mund të paraqesin rrezik për shoqërinë. Një mënyrë alternative është vendosja e një të dyshuari në arrest shtëpie. Mund të kërkohet garanci nëse gjykatësi beson që i akuzuari mund të mos paraqitet në gjyq.
 
Këshillimi ligjor duhet ofruar falas nëse i pandehuri nuk mund të përballojë një avokat privat; megjithatë, kjo e drejtë nuk njihej gjerësisht dhe shpesh policia dështoi t’i informonte të dyshuarit për të. Aksesi ndaj informacionit ligjor mbeti i vështirë për qytetarët, sidomos në zona fshatare apo ato pa akses në internet. Megjithatë, për segmentin e kufizuar të popullsisë që kishte akses në internet, praktikisht të gjitha ligjet ishin në dispozicion në internet falas dhe pati një numër OJQ-sh që ofronin këshillim ligjor falas për ata që kishin nevojë, edhe pse vendosja e OJQ-ve nuk ishte e lehtë për t’u gjetur. Në contrast me vitin e mëparshëm, nuk pati raportime për persona të ndaluar në mënyrë të jashtëligjshme dhe të pamundur për të kontaktuar një avokat privat. Në disa raste, të ndaluarit u pyetën pa praninë e avokatëve. Shërbimet ligjore të ofruar nga shoqata e avokatëve të shtetit konsideroheshin të pamjaftueshme, të korruptuara, dhe, me raste, me mungesë profesionalizmi.
 
Gjatë vitit, avokati i popullit mori dy ankesa për arrestim arbitrar dhe ndalim të jashtëligjshëm prej policisë, por deklaroi që asnjë prej tyre nuk qëndronte. Ndërkohë që nuk pati raportime të tjera për arrestime dhe ndalime arbitrare nga policia, disa OJQ besonin se ishte ende problem. GSHDNJ raportoi që në përpjekje për të forcuar statistikat, shumë arrestime ndodhën gjatë vitit ose në mungesë të një fletë-arresti të vlefshëm ose me fletë-arresti bazuar mbi të dhëna të rreme. Për shembull, GSHDNJ citoi rastin e katër transvestiteëve të arrestuar në gusht sepse pretendohej të ishin përfshirë në prostitucion (shih seksionin 5). Policia e publikoi këtë rast si pjesë e përpjekjeve të saj për të luftuar krimet e rënda.
 
Ligji kërkon plotësimin e hetimeve para gjyqit brenda tre muajsh; megjithatë, një prokuror mund ta zgjasë këtë periudhë edhe me shtesa të tjera tre-mujore në raste veçanërisht të vështira. Ndërkohë që ligji siguron që maksimumi i kohëzgjatjes së paraburgimit nuk duhet të kalojë dy vjetët, paraburgimet e gjata shpesh ndodhnin si rezultat i hetimeve të vonuara. Në vitin 2005, GSHDNJ raportoi që Elton Gerdhuqi ishte ndaluar në komisariatin e policisë së Vlorës në vitin 2000 dhe gjykata e Vlorës ende nuk kishte marrë një vendim mbi çështjen. Deri në fund të vitit, të gjithë 49 të burgosurit e mbajtur në paraburgim pas gjyqeve të tyre ishin transferuar në burgje.
 
e.     Mohimi i Gjyqit të Drejtë Publik
 
Kushtetuta dhe ligji sigurojnë një gjyqësor të pavarur; megjithatë, presioni politik, kërcënimet, korrupsioni i shumëpërhapur dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe eficiente. Presidenti kryeson Këshillin e Lartë të Drejtësisë (KLD), i cili ka autoritetin të emërojë, disiplinojë, dhe shkarkojë gjykatës të gjykatave të rretheve dhe apelit. Gjykatësit që shkarkohen kanë të drejtën të apelojnë në gjykatën e lartë. Këshilli përfshin ministrin e drejtësisë, kreun e Gjykatës së Lartë, nëntë gjykatës të të gjitha niveleve të përzgjedhur nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore, dhe tre anëtarë të përzgjedhur nga parlamenti. Në korrik, Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë shumicën e dispozitave të një ligji të vitit 2005 që kërkonte të ndryshonte funksionimin e KLD-së me arsyetimin që do të kompromentonin pavarësinë e gjyqësorit. Qeveria argumentoi që ndryshime të tilla ishin të nevojshme për të eliminuar konflikte potenciale interesi mes anëtarëve të këshillit.
 
Gjatë vitit, u bë përparim në largimin e gjykatësve të korruptuar nga gjykatat. Gjatë vitit, Ministria e Drejtësisë rekomandoi që pesë gjykatës të sanksionoheshin për korrupsion apo incompetence. KLD votoi për largimin e një gjyqtari nga detyra dhe katër të tjerët u disiplinuan. Hetimet vazhdonin kundër 10 gjykatësve të tjerë. 
 
Partitë e koalicionit qeverisës në parlament e akuzoi prokurorin e përgjithshëm për incompetence dhe korrupsion dhe rekomandoi që presidenti ta shkarkonte. Opozita e pa këtë si një sulm të qeverisë kundër pavarësisë së prokurorisë së përgjithshme. Në fund, presidenti refuzoi të vepronte sipas rekomandimit të parlamentit dhe citoi nevojën për të ruajtur pavarësinë e prokurorisë. Më pas, Gjykata Kushtetuese vendosi që komisioni parlamentar i mbledhur për të hetuar prokurorin e përgjithshëm ishte jokushtetues dhe nuk kishte fuqinë ligjore për të shqyrtuar vendimet e prokurorit.
 
Policia, prokurorët dhe gjyqësori vazhduan të fajësonin njëri-tjetrin për dështime që lejonin kriminelët të shmangnin burgosjen. Për shembull, gjykatat akuzonin prokurorët dhe policinë se dështonin të kryenin hetime solide dhe të mblidhnin të dhënat e nevojshme për ndjekur penalisht kriminelët në mënyrë të suksesshme, ndërsa policia deklaronte që korrupsioni dhe ryshfeti kishin njollosur gjykatat. Policia gjyqësore ishte përgjegjëse, nën drejtimin e prokurorëve, për zhvillimin e hetimeve të kryera fillimisht nga policia.
 
Systemi gjyqësor përbëhet nga gjykatat e rretheve, gjashtë gjykata apeli, gjykata e krimeve të rënda, gjykatat ushtarake, gjykatat ushtarake të apelit, një gjykatë e lartë dhe një gjykatë kushtetuese e veçantë dhe e pavarur. Gjykata e lartë shqyrton apelet si nga gjykatat e rretheve ashtu edhe nga gjykatat e apelit, ndërkohë që gjykata kushtetuese në radhë të parë shqyrton ato çështje që kanë të bëjnë me interpretim kushtetues dhe konflikte mes degëve të qeverisjes dhe çështje të individëve që pretendojnë mohimin e procesit të drejtë. Gjykata e krimeve të rënda dhe gjykata e apelit e krimeve të rënda përqendrohen mbi luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe krime të tjera të tender, si dhe mbi përmirësimin e cilësisë së gjykimit.
 
     Procedurat e Gjyqeve
 
Kushtetuta dhe ligji garantojnë të drejtën për një gjyq të shpejtë; megjithatë, burimet e kufizuara materiale, mungesa e hapësirës, dhe mbingarkesa e çështjeve në shumë raste penguin sistemin e gjykatave të gjykonte çështjet në kohën e duhur. Çështje të mbartura ishin diçka tipike dhe çonin në mbajtjen e të dyshuarve në paraburgim më gjatë se kufijtë ligjorë (shih seksioni 1.d.). Të pandehurit, dëshmitarët dhe të tjerët që nuk flasin shqip kanë të drejtën e shërbimeve të një përkthyesi. Të pandehurit kanë të drejtën për një avokat mbrojtës dhe, sipas ligjit, qeveria ofron avokatë mbrojtës për të pandehur të varfër, megjithëse cilësia e përfaqësimit varionte. Të pandehurit kanë të drejtën të apelojnë vendimet brenda 10 ditësh në Gjykatën e Apelit. Të pandehurit ligjërisht prezumohen të pafajshëm derisa të dënohen.
 
Gjatë vitit, katër gjyqe u zhvilluan në mungesë, në krahasim me 98 gjyqe të tilla gjatë vitit 2005.
 
Sistemi i gjykimit nuk parashikon gjyqe me juri. Prokurorët dhe avokatët mbrojtës paraqesin çështjet përpara një paneli prej tre gjykatësish dhe të pandehurit kanë të drejtën për të gjitha të dhënat që paraqiten para gjykatësit.
 
Vendi nuk ka një system drejtësie për të miturit dhe çështjet e fëmijëve shpesh paraqiten përpara gjykatësve që nuk janë trainuar në drejtësinë për të miturit. Sipas CRCA, dënimet e gjata të dhëna për minorenët shpesh ishin për shkak të mungesës së trainimeve të tilla.
 
Megjithëse të ndara nga gjykatat civile, gjykatat ushtarake janë nën gjykatat e rretheve. Ato punësojnë gjykatës dhe prokurorë nga gjykatat civile për çështje ushtarake por nuk gjykojnë civilë.
 
     Të Burgosur dhe të Ndaluar Politikë
 
Nuk pati raporte për të burgosur apo të ndaluar politikë.
 
Procedura Gjyqësore Civile
 
Zyra e Përmbarimit, e cila është pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, siguron që gjykimet civile të vihen në zbatim. Shumë gjykime civile, sidomos çështje të zgjidhjeve të pronës, nuk u zbatuan për shkak të implikimeve të forta shoqërore apo politike. Për shembull, autoritetet nuk vunë në zbatim një urdhër gjykate që i jepte ndërtesën ku stehoheshin dy nga sindikatat kryesore të vendit në Tiranë pronarëve të tyre të ligjshëm ashtu siç ishte vendosur nga gjykata. Gjatë vitit, një individ fitoi një çështje në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg kundër qeverisë sepse kjo kish dështuar t’i paguante kompensimin e urdhëruar nga gjykata për zënien e pronës.  
 
Kthimi i Pronës
 
Në korrik, parlamenti amendoi ligjin e vitit 2004 për kthimin dhe kompensimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist. Ligji zgjeroi kufirin e 148 akrave në 247 akra për kthimin e pronës, shkriu Komitetin Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave dhe e zëvendësoi atë me një agjenci të emëruar nga këshilli i ministrave. Gjatë vitit, qeveria vendosi një fond pre tri milionë dollarësh (300 milionë lekë) për t’u ofruar kompensim pretenduesve. Raporti Vjetor për Veprimtarinë e zyrës së avokatit të popullit raportoi që në vitin 2005, kishte trajtuar një total prej 41 ankesash të lidhura me kompensimin e pronës dhe dhe që numri i këtyre ankesave ishte 40 përqind më i lartë në krahasim me vitin e mëparshëm. Nga këto, 10 u zgjidhën në favor të pretenduesve dhe pjesa tjetër iu përcoll gjykatave.
 
            f.     Ndërhyrjet Arbitrare në Privatësi, Familje, Banesë dhe Korrespondencë
 
Kushtetuta dhe ligji i ndalojnë veprime të tilla; megjithatë, në disa raste, qeveria i shkeli këto të drejta.
 
Në korrik, shtëpitë e 45 familjeve rome u shkatërruan në Elbasan kur zyrtarët e qytetit vendosën t’i zhvendosnin në një pjesë tjetër të qytetit (shih seksionin 5). Në vitin 2005, 18 familje rome u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre në Tiranë sepse bllokonin një plan rregullues territory të bashkisë vendore.
 
Seksioni 2 Respekti për Liritë Civile, Përfshi:
 
a.     Liria e Fjalës dhe Shtypit
 
Kushtetuta dhe ligji sigurojnë lirinë e fjalës dhe të shtypit dhe qeveria në përgjithësi i respektoi këto të drejta në praktikë. Ndërkohë që media ishte aktive dhe kryesisht e papenguar, pati probleme serioze me përdorimin e medias për qëllime politike.
 
Politizimi i medias mbeti një çështje që përbënte shqetësim dhe në periudhën përpara zgjedhjeve vendore të planifikuara për në Janar 2007, u duk se ishte në rritje në tremujorin e fundit të vitit. Polarizimi i organeve të medias në kampe kundërshtare është bërë më i theksuar. Botuesit dhe pronarët e gazetave vazhduan të diktonin artikuj për t’u shërbyer interesave të tyre ekonomike dhe politike dhe disa here bllokuan artikuj që binin në kundërshtim me ato interesa. Gazetarët vazhduan të praktikonin autocensurën dhe pati pak transparencë në financimin e medias.
 
Në përgjithësi, individët mund ta kritikonin lirisht qeverinë dhe veprimet e saj në median e shkruar dhe elektronike. Megjithatë, në maj, lëvizja aktiviste Mjaft! Raportoi që policia pengoi përpjekjet e saj për të shpërndarë një poster që kritikonte kryeministrin. Pasi afro 1,000 postera u vendosën në qytetin e Tiranës, forcat e policisë sipas raportimeve i zhvendosën posterat dhe konfiskuan pjesën e mbetur prej 4,000 që nuk ishin vendosur. Nuk pati raportime që zyrtarët të përdornin apo kërcënonin të përdornin padi për shpifje për të kufizuar diskutimin e lirë politik.
 
Media e shkruar e pavarur ishte aktive por shtrëngohej nga profesionalizmi i kufizuar, mungesa e financimeve, dhe presioni politik. Partitë politike, sindikatat dhe shoqëritë e grupet e ndryshme botuan gazetat apo revistat e tyre të pavarura nga ndikimi i qeverisë. Në dispozicion ishin afro 200 botime, përfshi gazeta, revista të përditshme e të përjavshme, buletine e pamflete. Një gazette e përditshme kombëtare madhore, Shqip, filloi botimin në pranverë, ndërkohë që dy të tjera, Dita dhe Express, u mbyllën.
 
Sipas të dhënave zyrtare, ekzistonin 64 stacione televizive dhe 44 stacione radiofonike, por numri faktik raportohej të ishte më i madh. Ndërkohë që stacionet funksiononin të lira nga ndikimi i drejtpërdrejtë qeveritar, shumica e pronarëve besonin që përmbajtja e transmetimeve të tyre mund të ndikonte veprimet qeveritare ndaj bizneseve të tyre të tjera.
Radio dhe Televizioni Publik Shqiptar (RTVSH) operonte një kanal televiziv kombëtar dhe një radiostacion kombëtar. RTSH ia përkushtoi shumicën e pasqyrimit qeverisë dhe partisë në pushtet. Me ligj, qeveria siguron 50 të buxhetit të stacionit. Gjatë vitit, Kiço Blushi, kryetar i Këshillit Drejtues të RTSH dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj shtyrjes nga parlamenti për të shkarkuar drejtorin e televizionit Artur Zheji. Blushi pretendoi që RTSH ishte ende peng i politikës dhe qeverisë, duke dështuar kështu në përmbushjen e misionit të vet publik.
Në maj, parlamenti amendoi Ligjin për Median Elektronike, duke ristrukturuar Këshillin Drejtues të RTSH dhe Këshillin Kombëtar të Radio Televizionit, i cili është përgjegjës për licensimin, rregullimin, dhe duke shkarkuar anëtarët e mëparshëm të këshillit. Opozita akuzoi që ligji i ri ishte një manovër politike që synonte të dobësonte pavarësinë e dy organeve rregullatore duke i shtyrë ato në favor të qeverisë. Amendamentet gjithashtu kërkonin emërimin e profesionistëve të medias dhe përfaqësues të shoqërisë civile në vend të përfaqësuesve të partive politike.
 
Në kontrast me vitin 2005, pati vetëm një raportim se policia apo zyrtarë të tjerë abuzuan fizikisht gazetarët. Në shkurt, një gazetar televiziv akuzoi oficerin e policisë Kastriot Caushi të Komisariatit të Policisë Lushnje dhe anëtarë të Gardës së Republikës se kishin përdorur forcën për të penguar gazetarët të intervistonin presidentin. Gazetari pati dëmtime të lehta nga incidenti.
 
Në vitin 2005, zyrat e gazetës më të madhe Shekulli u dëmtuan kur një eksploziv u hodh në ballkon. Pati dëmtime të zyrës, megjithëse nuk pati dëmtime të ndonjë personi. Një zëdhënës i gazettes raportoi që çështja ishte mbyllur pa paraqitjen e akuzave formale.
 
Kërcënimet politike të medias vazhduan. Gazetarët vazhduan të ankoheshin se botuesit dhe redaktorët censuronin punën e tyre ose drejtpërdrejt ose tërthorazi në përgjigje të presioneve politike dhe ekonomike. Shumë gazetarë u ankuan që mungesa e kontratave të punës shpesh pengonte aftësinë e tyre për të raportuar në mënyrë objektive.
 
Në shtator, këshilli i ministrave miratoi një rezolutë për të nxjerrë televizionin Top Channel TV, një stacion shumë të rëndësishëm televiziv, nga një ndërtesë prone shtetërore në qendër të Tiranës. Qeveria tha se synonte ta përdorte hapësirën për të promovuar artin dhe kuluturën. Duke cituar një kontratë qeraje afatgjatë me Ministrinë e Ekonomisë, kompania akuzoi që lëvizja ishte një përpjekje për t’i bërë presion stacionit për përmbajten e tij redaksionale. Në fund të vitit, çështja vazhdonte.
 
Shpifja është një kundravajtje që mund të dënohet me një dënim me burg deri në dy vjet dhe një gjobë. Në krahasim me vitin e mëparshëm, gjatë vitit nuk pati raportime për çështje padish për shpifje kundër medias.
 
Liria e Internetit
 
Nuk pati kufizime nga qeveria mbi aksesin ndaj internetit apo raportime se qeveria monitoronte postën elektronike apo dhomat e bashkëbisedimeve në internet. Aksesi ndaj internetit është rritur gjatë vitit, por mbeti i kufizuar, sidomos jashtë zonave madhore urbane.
 
     Liria Akademike dhe Aktivitetet Kulturore
 
Ndryshe nga vitet e mëparshme, nuk pati kufizime të qeverisë mbi lirinë akademike apo aktivitetet kulturore.
 
Në vitin 2005, një gjykatë rrethi refuzoi padinë e ngritur nga kreu i departamentit të gjeografisë të Universitetit të Tiranës, Profesorit Doka, në lidhje me shkarkimin e tij për “përqasjen antikombëtare” ndaj punës. Shkarkimi u nxit nga botimi prej Dokës i një atlasi që zgjeronte zonat e minoritetit në vend. Qeveria më pas ndaloi botimin e atlasit. Doka fitoi çështjen në apel dhe rimori postin e tij në universitet. Megjithatë, nuk dihej nëse atlasi u botua ndonjëherë.
 
b.     Liria e Grumbullimit Paqësor dhe Shoqërive
 
     Liria e Grumbullimit
 
Kushtetuta dhe ligji sigurojnë lirinë e grumbullimit dhe qeveria në përgjithësi e respektoi këtë të drejtë në praktikë.
 
Ligji u kërkon organizuesve të grumbullimeve në vende publike të njoftojnë policinë tri ditë përpara; nuk pati raportime se policia mogoi grumbullime të tilla në mënyrë arbitrare.
 
Ndryshe nga vitet e mëparshme, nuk pati raportime se policia keqtrajtoi protestuesit. Megjithatë, Mjaft! Raportoi që më 1 shtator, policia qëndroi pranë pa ndërmarrë veprime kur një mbështetës i qeverisë sulmoi fizikisht pjesëmarrësin në një protestë që kishte organizuar. Në fund të vitit, nuk pati akuza kundër oficerëve dhe policia nuk ndërmori veprime të pavarura.
 
     Liria e Shoqërive
 
Kushtetuta dhe ligji sigurojnë të drejtën e shoqërive dhe qeveria në përgjithësi e respektoi këtë të drejtë; megjithatë, ligji ndalon formimin e ndonjë partie politike apo organizate që nuk është transparente apo e enigmatike. Nuk pati raportime se kjo dispozitë u përdor kundër ndonjë grupi gjatë vitit.
 
c.     Liria e Fesë
 
Kushtetuta dhe ligji sigurojnë lirinë e fesë dhe qeveria në përgjithësi e respektoi këtë të drejtë në praktikë.
 
Komunitetet fetare mbizotëruese, Myslimanët Sunitë, Myslimanët Bektashi, Ortodoksët, dhe Katolikët Romakë, gëzuan një shkallë më të madhe njohjeje zyrtare (për shembull, festat kombëtare) dhe statusi shoqëror.
 
Qeveria nuk kërkon regjistrimin apo licensimin e grupeve fetare.
 
Aleanca Ungjillore Shqiptare, një shoqatë e afro 98 kishave protestante, vazhdoi të ankohej gjatë vitit se kishte hasur pengesa administrative në aksesin ndaj medias. Megjithatë, përfaqësues të aleancës deklaruan se nuk ishte e qartë nëse aksesi i kufizuar ishte për shkak të përmasave të vogla të organizatës apo përkatësisë së saj fetare.
 
Ndryshe nga vitet e mëparshme, nuk pati pretendime të medias se Dëshmitarët e Jehovait kishin ndikuar vetëvrasjet e minorenëve.
 
Qeveria ndali pengimin e shpërndarjes së literaturës fetare në vende publike. Shpërndarja e materialeve të tilla ndalohej në shkollat publike.
 
Qeveria dështoi të kthente të gjitha pronat dhe objektet fetare që ishin konfiskuar nën regjimin komunist. Në rastet kur ndërtesat fetare u kthyen, qeveria shpesh nuk ktheu token përreth ndërtesave dhe nuk ofroi kompensim. Gjithashtu, qeveria nuk kompensoi kishat në masën e duhur për dëmet e gjera ndaj pronave fetare gjatë periudhës komuniste. Megjithatë, diskutimet mbi një zgjidhje të mundshme vazhduan.
 
Në qershor, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë raportoi që qeveria tentoi ta nxirrte nga një ndërtesë në Përmet, e cila ishte zënë nga qeveria komuniste dhe më pas i ishte kthyer Kishës Ortodokse në vitin 1997. Prifti mblodhi besimtarë dhe fëmijë për të bllokuar njoftimin e bllokimit. Qeveria qysh atëherë e ka garantuar Kishën Ortodokse se do të bashkëpunojnë për të gjetur një zgjidhje reciprokisht të pranueshme. Ish qeveria komuniste e shndërroi strukturën në një qendër culture dhe, në vitin 2003, Gjykata e Lartë e Shqipërisë vendosi që meqenëse kishte mbetur shumë pak nga struktura origjinale, Kisha Ortodokse nuk kishte të drejtë mbi pronën. Qeveria vazhdoi të refuzonte kërkesën e Kishës Ortodokse që ikonat dhe materiale të tjera që aktualisht mbahen në muze dhe arkiva shtetërore të ktheheshin.
 
Abuzimet dhe Diskriminimi Shoqëror
 
Gjatë vitit, nuk pati përsëritje të incidenteve të kërcënimit shoqëror apo kërcënimeve të dhunës ndaj Dëshmitarëve të Jehovait, nxitur në vitin 2005 nga pretendime të medias në vitin 2005 se komuniteti kishte ndikuar një seri vetëvrasjesh të minorenëve. Nuk pati raportime të tilla gjatë vitit.
 
Në qershor, policia mori për pyetje një të dyshuar për vrasjen në vitin 2003 të Sali Tivairt, ish sekretar i përgjithshëm i bashkësisë islame, por nuk u bënë akuza formale.
 
Sipas raportimeve, pati më pak se 100 hebrej në vend; nuk pati raportime për sinagoga apo qendra komunitare që funksiononin në vend apo për akte antisemite.
 
Për një diskutim më të hollësishëm, shih Raportin Ndërkombëtar mbi Lirinë Fetare 2006.
 
d.   Liria e Lëvizjes Brenda Vendit, Udhëtimit Jashtë, Emigrimit, dhe Riatdhesimit
 
Kushtetuta dhe ligji i sigurojnë këto të drejta dhe qeveria përgjithësisht i respektoi ato në praktikë.
 
Sipas ligjit, migruesit brenda vendit duhet të transferojnë statusin e tyre të regjistrimit civil nga bashkësia origjinale në bashkësinë e re, përpara se t’u njihen shërbime të tilla sociale si arsimi dhe kujdesi shëndetësor. Sipas Zyrës së Gjendjes Civile, për të transferuar vendbanimin në një bashkësi të re, qytetarët duhet të provojnë se janë ligjërisht të regjistruar përmes pronësisë mbi një prone, një marrëveshje për qera prone, apo faturë dritash/uji. Meqenëse shumë prej këtyre migruesve të brendshëm janë në thelb banorë të paligjshëm që banojnë në shtëpi të ngritura në mënyrë të jashtëligjshme, është e vështirë të provohet vendbanimi ligjor. Përveç pengesave administrative, shumë prej migrantëve të brendhshëm nuk regjistrohen si për pasojë të mosbesimit të rrënjosur tek qeveria dhe një mungese të përgjithshme shkollimi.
 
Si rezultat, disa qytetarëve u mungonte regjistrimi formal në bashkësitë në të cilat banojnë. Romët dhe egjiptianët ballkanikë ishin veçanërisht të prekur nga ky fenomen. Qeveria nuk bëri përparim drejt krijimit të një dokumenti identiteti të standardizuar kombëtar gjatë vitit.
 
Ligji ndalon azilin e detyruar dhe qeveria nuk e përdori atë.
Mbrojtja e Refugjatëve
 
Ligji siguron dhënien e azilit apo statusit të refugjatit në përputhje me Konventën e vitit 1951 të OKB-së në lidhje me Statusin e Refugjatëve dhe protokollin e saj të vitit 1967, dhe qeveria ka ngritur një sistem për t’u ofruar mbrojtje refugjatëve. Në praktikë, qeveria ofroi mbrojtje kundër kthimit të personave në një vend ku i trembeshin përndjekjes. Sipas ligjit, kërkesat për azil duhen bërë brenda 10 ditësh nga mbërritja në territorin e vendit dhe vendimi për dhënien e statusit të azilantit duhet dhënë brenda 51 ditësh nga kërkesa fillestare. Gjatë vitit, qeveria akordoi gjashtë kërkesa për azil dhe tetë të tjera ishin nën shqyrtim.
 
Në vitin 2005, qeveria i dha mbrojtje të strehimit të përkohshëm një individi i cili nuk kualifikohej si refugjat sipas konventës  së vitit 1951 apo protokollit të vitit 1967.
 
Qeveria bashkëpunoi me zyrën e Komisionerit të Lartë për Refugjatët të OKB-së (UNHCR) dhe organizata të tjera humanitare për të ndihmuar refugjatët dhe azilkërkuesit. UNHCR, nëpërmjet qendrës kombëtare të drejtuar nga qeveria për azilkërkuesit, ofroi shërbime sociale dhe ligjore, mbulim me kujdes shëndetësor, sigurime, dhe mbështetje të kufizuar me trainime për bashkësinë e vogël të refugjatëve dhe bashkërendoi asistencën e mëtejshme nëpërmjet një rrjeti OJQ-sh.
 
Bashkë me organizatat ndërkombëtare, qeveria, nëpërmjet programit të Asistencës për Rindërtim, Zhvillim dhe Stabilizim Komunitar të Bashkimit Europian shqyrtoi migrantë pa dokumenta të ndaluar në të gjitha pikat e kalimit të kufirit. Sipas këtij programi, një OJQ dhe një ekip qeveritar ndihmoi policinë kufitare për të identifikuar migrantë pa dokumenta që ishin viktima të mundshme për trafikim, azilkërkues, apo migrantë ekonomikë.
 
Seksioni 3 Respekti për të Drejtat Politike: E Drejta e Qytetarëve për të Ndërruar Qeverinë e Tyre
 
Kushtetuta dhe ligji u sigurojnë qytetarëve të drejtën të ndryshojnë qeverinë e tyre në mënyrë paqësore dhe qytetarët e ushtruan këtë të drejtë në praktikë nëpërmjet zgjedhjeve periodike të zhvilluara mbi bazën e të drejtës universale të votës.
 
     Zgjedhjet dhe Pjesëmarrja Politike
 
Në të gjithë vendin u zhvilluan zgjedhje parlamentare në vitin 2005. Raporti i misionit të monitorimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) arriti në përfundimin se zgjedhjet përmbuhsën vetëm pjesërisht standarded ndërkombëtare. Rezultatet zyrtare zgjedhore u vonuan për disa javë për shkak të procedurave të ndërlikuara të ankimit dhe apelimit dhe nevojës për të rizhvilluar zgjedhje në disa zona. Vëzhguesit e zgjedhjeve të OSBE-së raportuan një numër rastesh kur zyrtarë zgjedhorë penguin procesin dhe vendosën interesat e partisë përpara detyrës së tyre për të numëruar dhe raportuar votat në mënyrë të paanshme dhe të ndershme. Pati raste të votimit familjar, diçka veçanërisht e zakonshme në zonat rurale.
 
Individët dhe partitë mund të deklaronin lirisht kandidaturën e tyre dhe të konkuronin në zgjedhje. Një parti politike duhet të regjistrohet pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë dhe të deklarojë një synim apo qëllim që nuk është antikushtetues ose përndryshe në kundërshtim me ligjin, të përshkruajë strukturën e vet organizative, si edhe të japë llogari për të gjitha fondet publike dhe private që përfton. Gjykata i regjistronte partitë në mënyrë rutinore.
 
Në Kuvendin Popullor prej 140 vendesh kishte 10 gra, përfshi Kryetaren e Parlamentit, dhe një grua në Këshillin e Ministrave; megjithatë, në përgjithësi, gratë ishin të keqpërfaqësuara në nivelet qendrore dhe vendore të qeverisë, pavarësisht përkushtimeve nga partitë kryesore politike për të rritur përfaqësimin femëror. Koalicioni për Promovimin e Gruas, Rinisë, dhe Pakicave në parlament, mbështetur nga avokati i popullit, u bëri thirrje të gjitha partive politike kryesore të përfshinin të paktën 30 përqind candidate femra në zgjedhjet vendore që priten në shkurt 2007. Ndërkohë që propozimi iu dërgua Komisionit Parlamentar për Çështjet Legjislative, nuk ishte ndërmarrë ndonjë veprim formal legjislativ.
 
Një numër anëtarësh të pakicës greke shërbenin si në Kuvendin Popullor prej 140 vendesh ashtu edhe në degën ekzekutive në poste minitrore dhe nën-ministrore. Nuk mendohej se ndonjë pakicë tjetër etnike përfaqësohej në Kuvendin Popullor apo në Këshillin e Ministrave.
 
Korrupsioni dhe Transparenca në Qeveri
 
Korrupsioni mbeti një pengesë madhore ndaj reformave domethënëse. Gjatë vitit, vendi mori rezultatin 2.6 në indeksin e përbërë prej 10 pikash të Transparency International në lidhje me shkallën në të cilën korrupsioni perceptohet se ekziston mes politikanëve dhe zyrtarëve publikë të vendit, duke nënkuptuar perceptimin se vendi ka një problem serioz me korrupsionin. Një sondazh i muajit janar nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi gjeti se në një shkallë nga 0 në 100, zyrtarët e doganave morën 87 dhe perceptoheshin si nëpunësit publikë më të korruptuar. Megjithatë, një drejtor i ri mori postin në fund të vitit 2005 dhe bëri përparime në uljen e korrupsionit në Shërbimin e Doganave, në radhë të parë duke pushuar afro 200 zyrtarë doganash me akuza për korrupsion apo shpërdorim tjetër të detyrës. Zyrtarët tatimorë, me 83.1 përqind, dhe mjekët, me 80.1 përqind, pasonin nga afër. Megjithatë, udhëheqësit më të respektuar ishin presidenti (21) dhe udhëheqësit fetarë (27.9). Ndërkohë që perceptimi i korrupsionit në polici u përkeqësua lehtë, rezultatet e sondazhit treguan një përmirësim modest në perceptimet e të anketuarve për korrupsionin mes deputetëve, ministrave, gjykatësve, prokurorëve, zyrtarëve të doganave, dhe udhëheqësve të OJQ-ve. Gjatë nëntë muajve të parë të vitit, prokuroria u mor me 480 raste shpërdorimi detyre dhe lloje të tjera korrupsioni që rezultuan në dënimin penal të 107 zyrtarëve qeveritarë.
 
Gjatë vitit, Këshilli i Ministrave adoptoi një numër rregullash të brendshme anti-korrupsion. Në shkurt, parlamenti miratoi legjislacion të ri të zgjeruar mbi konfliktin e interesit. Në janar, qeveria krijoi Task Forcën Anti-Korrupsion dhe gjatë vitit kreu një goditje shumë të dukshme kundër krimit të organizuar. Politikanë të opozitës akuzuan se përpjekjet e qeverisë ishin shumë të politizuara dhe akuzuan kryeministrin se përdorte luftën kundër korrupsionit si një armë kundër atyre që kundërshtonin pikëpamjet e tij.
 
Në korrik, duke cituar shqetësime për të drejtat e njeriut, Gjykata Kushtetuese In July citing human rights concerns, the Constitutional Court refuzoi rregulloren e re të qeverisë për antinepotizmin në shërbimin civil dhe në maj refuzoi shumicën e amendamenteve të propozuara për një ligj mbi konfliktin e interesave të gjykatësve që shërbejnë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, çka do të kishte detyruar shumë anëtarë ekzistues që ose të jepnin dorëheqjen ose të hiqnin dorë nga postet e tyre si gjykatës.
 
Ligji garanton që ministrat e qeverisë nuk mund të zotërojnë një kompani që është e lidhur drejtpërdrejt me përgjegjësitë e tyre zyrtare dhe përfshin një ndalim të kompanive zotëruar nga anëtarë të afërt të familjeve të zyrtarëve qeveritarë. Afro  6,000 zyrtarë publikë dhe të afërm duhet të paraqesin deklarime financiare; 1,500 zyrtarë të tjerë të administratës së mëparshme u detyruan të paraqisnin deklarime për vitin pas fundit të mandatit të tyre. Inspektorati i Deklarimit të Pasurive administron rregullimet e konfliktit të interesave.
 
Autoritetet ndërmorën veprime ligjore ose disiplinore bazuar mbi deklarimet financiare kundër 123 zyrtarëve dhe gjobitën 69 zyrtarë për paraqitje me vonesë të deklarimeve. Gjatë vitit, kur u njoftuan për konflikt të mundshëm interesi, 56 punonjës ose dhanë dorëheqjen vullnetarisht nga postet ose u shkarkuan dhe 67 të tjerë u çliruan nga pasuria kundravajtëse. Deri në fund të vitit, pesë raste me profil të lartë hetuar nga inspektorati iu përcollën prokurorisë për ndjekje penale.
 
Drejtori i burgjeve raportoi se gjatë vitit të kaluar janë ngritur padi kundër pesë zyrtarësh të nivelit të lartë të burgjeve dhe 178 roje apo oficerë burgjesh janë pushuar për korrupsion. Në raportin e korrikut, KPT citoi marrjen e ryshfetit dhe lloje të tjera korrupsioni nga ana e rojeve si një prej problemeve më serioze në sistemin penitenciar.
 
Nënshtetasit dhe jonënshtetasit, përfshi median e huaj, kanë të drejtën të marrin informacion mbi veprimtaritë e organeve qeveritare dhe personave që ushtrojnë funksione zyrtare shtetërore. Zyrtarët publikë janë të detyruar me ligj të lëshojnë informacion dhe dokumente zyrtare me përjashtim të dokumenteve të klasifikuara dhe sekreteve shtetërore. Gjatë vitit, asksesi publik ndaj informacionit u rrit shumë, në një pjesë të madhe falë përdorimit më të madh të internetit. Departamenti i Informacionit në Këshillin e Ministrave shpërndau informacion publik nëpërmjet faqes së tij të internetit dhe iur përgjigj kërkesave publike për informacion. Gjithashtu, praktikisht të gjitha ministritë dhe agjencitë qeveritare vendosnin informacionin publik drejtpërdrejt në faqet e tyre të internetit. Megjithatë, OJQ-të vërejtën se qeveria përshtaste informaiconin e vendosur në internet për t'iu përshtatur nevojave të medias dhe jo anëtarëve të publikut të gjerë.
 
Seksioni 4 Qendrimet Qeveritare Ndaj Hetimeve Ndërkombëtare dhe Joqeveritare të Shkeljeve të Pretenduara të të Drejtave të Njeriut
 
Një numër grupesh vendase dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut përgjithësisht operoniin pa kufizim nga qeveria, duke hetuar dhe botuar gjetjet e tyre mbi raste të të drejtave të njeriut. Zyrtarët qeveritarë ishin bashkëpunues dhe iu përgjigjeshin pikëpamjeve të tyre; megjithatë, në disa fusha, të tilla si dhuna kundër gruas, përfshi dhunën në familje, dhe çështjet e fëmijëve, OJQ-të bënë pak përparim.
 
Organizatat e pavarura vendase të të drejtave të njeriut përfshinin Komitetin Shqiptar të Helsinkit (probleme lidhur me pakicat, forcat e sigurisë, gjyqësorin dhe zgjedhjet), Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut (asistencë ligjore dhe trainim i policisë), CRCA (të drejtat e fëmijëve), dhe Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve (korrupsioni zyrtar).
 
Qeveria bashkëpunoi me organizata ndërkombëtare të tilla si UNHCR, Këshilli i Europës, dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), dhe nuk kufizoi aksesin e tyre në vend.
 
Një avokat i popullit për të drejtat e njeriut hetoi veprime qeveritare të papërshtatshme, të pamjaftueshme, apo të jashtëligjshme. Megjithëse i mungonte fuqia për të zbatuar vendime, avokati i popullit veproi si një roje për shkeljet e të drejtave të njeriut. Rastet më të zakonshme përfshinin ankesa të qytetarëve për abuzimin e pushtetit nga policia dhe ushtria, mungesë zbatimi të gjykimeve të gjykatave në çështje civile, pushime të jashtëligjshme nga puna, dhe mosmarrëveshje për pronën (shih seksionet 1.c. dhe 1.e.). Në shumë raste, qeveria ndërmori hapa konkrete për të korrigjuar problemet në përgjigje të gjetjeve të avokatit të popullit. Gjatë vitit, bashkëpunimi midis zyrës së avokatit të popullit dhe prokurorëve u përmirësua.
 
Avokati i popullit ka autoritetin të monitorojë gjykatat dhe procedurat gjyqësore, të inspektojë dhe monitorojë mjediset e paraburgimit dhe burgjet, si edhe të lehtësojë bashkëpunimin e punonjësve të shtetit. Ligji gjithashtu i siguron avokatit të popullit autoritetin për të iniciuar çështje kur viktimat nuk e bëjnë vetë këtë apo në raste që kanë të bëjnë me interesin e komunitetit.
 
Seksioni 5 Diskriminimi, Abuzimet Shoqërore, dhe Trafikimi i Personave
 
Ligji ndalon diskriminimin e bazuar mbi racën, gjininë, etninë, paaftësinë, gjuhën, apo statusin shoqëror; megjithatë, diskriminimi kundër grave, egjiptianëve ballkanas, romëve dhe homoseksualëve mbeti.
 
Gratë
 
Dhuna në familje kundër gruas, përfshi abuzimin bashkëshortor, mbeti një problem serioz. Në një shoqëri tradicionalisht të mbizotëruar nga meshkujt, normat shoqërore dhe përgjigjet neglizhuese të policisë rezultuan në abuzime të paraportuara, duke e bërë të vështirë të saktësohej numri i grave që ishiin viktima të përdhunimit, dhunës në familje, apo ngacmimit seksual. Sipas projektit të monitorimit të medias për vitin 2002-03 të Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim, 56 gra dhe vajza në mbarë vendin humbën jetën si pasojë e dhunës në familje dhe 74 të tjera u plagosën seriozisht.
 
Qeveria nuk pati programe për të luftuar dhunën në familje apo për të ndihmuar viktimat. Organizata Gruaja për Gruan, një OJQ me qendër në Suedi, raportoi se pati afro gjashtë ligja telefonike vendore që funksiononin në gjithë vendin. Linjat që shërbenin kryesisht në pjesën veriore të vendit merrnin afërsisht 20 telefonata në muaj nga gra që raportonin një formë të dhunës. Streheza, një OJQ që administronte dy streha për gra të dhunuara në Tiranë, raportoi një rritje në rastet e dhunës në familje dhe të dyja mjediset kishin maksimumin e klienteve, kryesisht falë ndërgjegjësimit më të mirë dhe aksesit ndaj ndihmës.
 
Shumë komunitete, sidomos ato nga pjesa verilindore e vendit, vazhdonin të ndiqnin kodin tradicional – kanuni – sipas të cilit, sipas disa interpretimeve, gratë konsiderohen të jenë dhe trajtoheshin si plaçkë. Disa interpretime të kanunit diktojnë që detyra e gruas është t'i shërbejë burrit dhe t'i nënshtrohet atij në të gjitha çështjet.
 
Më 18 dhjetor, parlamenti miratoi ligjin e parë të vendit kundër dhunës në familje. Qeveria zhvilloi dhe prezantoi ligjin me ndihmën e Projektit të Drejtat Ligjore të Gruas. Ligji lejon viktimat e dhunës të marrin urdhra mbrojtjeje nga gjykatat në procedime civile, dhe më pas urdhrat i paraqiten abuzuesit të pretenduar. Nëse abuzuesi shkel urdhrin, ai mund të arrestohet dhe ndiqet. Ligji gjithashtu kërkon nga qeveria që të ngrejë shërbime për viktimat dhe të rrisë ndërgjegjësimin public mbi dhunën në familje anembanë vendit.
 
Kodi Penal penalizon përdhunimin, përfshi përdhunimin martesor; megjithatë, përdhunimi martesor nuk u raportua apo ndoq në praktikë. Koncepti i përdhunimit martesor nuk ishte i ngritur mirë dhe as autoritetet e as publiku nuk e konsideronin krim. Ligji imponon ndëshkime për përdhunimin dhe sulmin në varësi të moshës së viktimës. Për përdhunimin e një të rrituri, burgimi është tre deri 10 vjet, përdhunimin e një adoleshenti 14 deri 18 vjeç është pesë deri 15 vjet dhe për përdhunimin e një fëmije nën 14 vjeç është shtatë deri në 15 vjet burg.
 
Ligji ndalon prostitucionin; megjithatë, ky ishte problem. Trafikimi i grave dhe fëmijëve mbeti problem (shih seksioni 5, Trafikimi).
 
Ligji ndalon ngacmimin seksual; megjithatë, rrallë vihej në zbatim në praktikë.
 
Gratë nuk ishin të përjashtuara, me ligj apo në praktikë, nga ndonjë profesion; megjithatë, nuk ishin të mirëpërfaqësuara në nivelet më të larta të fushave të tyre. Ligji mandaton pagë të barabartë për punë të barabartë; megjithatë, kjo dispozitë nuk u zbatua plotësisht. Sipas një raporti nga Amnesty International (AI) gratë merrnin 20 deri 50 përqind më pak se burrat. Burrat zotëronin 92 përqind të tokës në vend dhe merrnin 84 përqind të produktit të brendshëm bruto të vendit, megjithëse gratë vazhduan gradualisht të merrnin pushtet ekonomik.
 
Gratë gëzonin akses të barabartë ndaj arsimit të mesëm, por në disa zona rurale përfaqësonin 24.9 përqind të nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm dhe përqindja e braktisjes së shkollës ishte më e madhe për vajzat se sa për djemtë. Sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë, numri i grave analfabete (2 përqind e popullsisë) ishte dy herë më i lartë se sa i burrave analfabetë (1 përqind).
 
Grave nuk u jepeshin mundësi të plota dhe të barabarta në karrierat e tyre dhe gratë e mirë-arsimuara shpesh ishin të nën-punësuara apo punonin jashtë fushës së tyre të specializimit.
 
Ligji ofron të drejta të barabarta për burrat dhe gratë sipas ligjit të familjes, ligjit të pronës, dhe në sistemin gjyqësor. Në praktikë, traditat kulturore rezultonin në burra shpesh më të favorizuar se sa gratë. Në maj, qeveria shkriu Komitetin Shtetëror për Shanse të Barabarta, i cili ishte përgjegjës për hartimin, promovimin dhe monitorimin e programeve të qeverisë për barazinë gjinore dhe e zëvendësoi atë me një Drejtori të Shanseve të Barabarta brenda Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale, dhe Shanseve të Barabarta. Në maj, qeveria gjithashtu shkriu Komitetin Ndërministror për Barazinë Gjinore, i cili ishte një organ këshillimor. Në nëntor, së bashku me partnerë të shoqërisë civile, drejtoria i paraqiti këshillit të ministrave një strategji kombëtare kundër dhunës në familje.
 
Fëmijët
 
Përkushtimi i qeverisë ndaj të drejtave dhe mirëqenes së fëmijëve është i kodifikuar në ligjin e brendshëm; megjithatë, në praktikë, përkushtimi ishte i kufizuar.
 
Ligji siguron nëntë vjet shkollim falas dhe autorizon shkollat private. Pjesëmarrja në shkollë është e detyrueshme deri në klasën e nëntë ose deri në moshën 16 vjeç, cilado qoftë e para; megjithatë, në praktikë, shumë fëmijë e lane shkollën më herët se sa lejohej për të punuar me familjet e tyre, sidomos në zonat rurale (shih seksioni 6.d.). Prindërve u duhej të blinin mjete, libra, materiale shkollore dhe ngrohës për disa klasa, çka ishte e shtrenjtë deri në pamundësi për shumë familje.
 
Në përgjithësi, fëmijët duhet të regjistrohen në të njëjtin komunitet ku janë të regjistruar edhe prindërit. Megjithatë, sipas CRCA, fëmijët e lindur nga migrues të brendshëm shpesh nuk kanë certifikata lindjeje apo dokumentacion tjetër ligjor dhe, për pasojë, nuk janë në gjendje të ndjekin shkollën (shih seksioni 2.d.).
 
Regjistrimi i fëmijëve është i detyrueshëm dhe falas brenda 30 ditësh nga lindja e fëmijës. Pas kësaj periudhe, regjistrimi duhet të ndodhë nëpërmjet gjykatës, një proces që është i kushtueshëm për shkak të detyrimeve ligjore dhe gjobave të mundshme që mund të vendosen për mosregjistrim të rregullt. Kështu, vendi ka një popullsi të madhe – dhe në rritje – fëmijësh të paregjistruar, të cilët ishin në rrezik më të madh trafikimi apo shfrytëzimi, sidomos fëmijët nga bashkësitë egjiptiane ballkanike dhe rome.
 
Sipas statistikave të Bankës Botërore për vitin 2004, regjistrimi në shkollën e mesme si për djemtë ashtu edhe për vajzat ishte 77.8 përqind, ndërsa Instituti i Statistikave e vlerësonte regjistrimin në arsimin e mesëm në 53 përqind për vitin 2003-2004. Regjistrimi në shkollat fillore ishte afro 95 përqind për të njëjtën periudhë.
 
Aksesi i barabartë ndaj kujdesit mjekësor ishte në dispozicion në parim si për djemtë ashtu edhe për vajzat; megjithatë, një nivel i lartë ryshfeti në sistemin e kujdesit mjekësor disa herë kufizonte aksesin për të gjithë.
 
Abuzimi i fëmijëve, përfshi abuzimin seksual, ndodhte me raste por rrallë raportohej. Në maj, media raportoi gjerësisht arrestimin e një nënshtetasi britanik, i cili administronte një jetimore, me akuzën e ngacmimit të fëmijëve dhe shitjen e aksesit ndaj fëmijëve tek turistët e huaj të seksit. Sipas Ministrisë së Brendshme, në vitin 2005, u raportuan 20 raste krimesh seksuale kundër fëmijëve.
 
Sipas KPK, deri 182 fëmijë mbetën të rrezikuar nga gjakmarrja që përfshinte familjet e tyre; 86 e këtyre ishin në rrethana veçanërisht të rrezikshme (shih seksioni 1.a.).
 
Martesa e fëmijëve ishte problem. Ndërkohë që nuk kishte statistika, martesa e fëmijëve ishte e zakonshme, sipas raporteve, mes popullsisë rome dhe kishte ende bashkësi në veri dhe në verilindje të vendit ku ekziston një "martesë në djep" tradicionale e ndërmjetësuar, bazuar mbi marrëveshjen e prindërve.
 
Trafikimi i fëmijëve, edhe pse jo i përhapur gjerësisht, ishte një problem (shih seksioni 5, Trafikimi).
 
Puna e fëmijëve mbeti një problem madhor (shih seksioni 6.d.).
 
Fëmijët e pastrehë, të zhvendosur, apo të rrugës mbetën një problem, sidomos fëmijët romë, të cilët jetonin në varfëri ekstreme anembanë vendit. Fëmijët e rrugës lypnin ose kryenin punë të vogla; shumë emigronin në vendet fqinje, sidomos gjatë verës.
 
Trafikimi i Personave
 
Ligji ndalon trafikimin e personave dhe siguron dënime për trafikantët; megjithatë, persona, sidomos gra dhe fëmijë, u trafikuan brenda, në vend, dhe jashtë vendit. Ndryshe nga vitet e kaluara, nuk pati raportime për përfshirje të policisë në trafikim.
 
Vendi mbeti një burim trafikimi për gra dhe fëmijë me qëllime shfrytëzimi seksual dhe pune të detyruar, por vlerësohej nga vëzhgues të huaj se nuk ishte më një vend i rëndësishëm destinacioni apo tranziti. Gratë dhe vajzat e huaja relativisht të pakta që kalonin tranzit vinin kryesisht nga Kosova, dhe, më pak, nga Moldavia, Rumania, Ukraina, Rusia, Bullgaria, Sri Lanka, dhe Kina. Shumica e grave dhe vajzave të trafikuara transportoheshin në Itali, Greqi dhe vende të tjera europiane të tilla si Belgjika, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Hollanda, Norvegjia, si edhe Shtetet e Bashkuara. Trafikantët përdornin gjerësisht rrugët tokësore apo dokumentat false për të transportuar viktimat e tyre me avion apo traget.
 
Trafikimi i fëmijëve në Kosovë dhe Greqi për të lypur apo për t'u shfrytëzuar seksualisht vazhdoi të ishte një problem, edhe pse vlerësimet varionin gjerësisht në lidhje me numrin e viktimave në vit. Sipas OJQ-ve, afro 1,000 fëmijë shqiptarë të pashoqëruar jetonin në Itali, megjithëse jo të gjithë ishin viktima të trafikimit. Një studim i vitit 2002, kryer nga OJQ International Social Service, raportoi se 1,800 fëmijë shqiptarë të pashoqëruar, shumë prej të cilëve ishin viktima të trafikimit, jetonin në Greqi. Sipas Terre des Hommes (TdH), një OJQ zvicerane për mirëqenien e fëmijëve që funksiononte në vend, numri i fëmijëve të trafikuar në Greqi ka rënë vitet e fundit.
 
Trafikimi i brendhshëm i grave dhe fëmijëve vazhdoi të ishte problem. TdH identifikoi 90 fëmijë që gjatë vitit ishin trafikuar brenda vendit për të lypur, punë të detyruar, dhe shfrytëzim të mundshëm seksual. Fëmijët e trafikuar brenda vendit vinin nga të gjitha rajonet e vendit dhe në mënyrë tipike trafikoheshin ose në Tiranë ose në Durrës. Sipas TdH, numri i fëmijëve të trafikuar brenda vendit po rritej. Komunitetet e egjiptianëve ballkanikë dhe romë ishin sidomos të prekshme për shkak të varfërisë dhe analfabetizmit. Në pak raste, fëmijët bliheshin nga familjet apo rrëmbeheshin, sipas raportimeve, për të lypur apo punuar jashtë. Sipas TdH, fëmijët, kryesisht nga bashkësitë rome dhe egjiptiane ballkanase, trafikohesihn gjithnjë e më shumë për të lypur nga prindërit e tyre pa përfshirjen e një pale të tretë.
 
Format kryesore të rekrutimit të viktimave të rritura të trafikimit përfshinin martesat mashtruese apo premtimet për martesë për të joshur viktimat jashtë vendit për shfrytëzim seksual. Për shkak të situatës të varfër ekonomike, burra dhe gra nga grupe të organizuara kriminale gjithashtu joshën shumë gra dhe vajza nga i gjithë vendi nëpërmjet premtimeve për vende pune në Itali dhe Greqi. Në mënyrë tipike, trafikantët konfiskonin dokumentat e viktimave, i abuzonin ato fizikisht dhe seksualisht, dhe me raste i detyronin të punonin si prostitute përpara se të largoheshin nga vendi. Si nënshtetaset ashtu edhe gratë e huaja trafikuar nga rrjetet vendase të krimit të organizuar abuzoheshin, torturoheshin dhe përdhunoheshin. Trafikantët gjithashtu kërcënoinn shumë prej familjarëve të viktimave. Në një masë më të vogël, familjarët apo fqinjët shisnin viktimat, sidomos fëmijë romë, tek trafikantët, ose trafikantët rrëmbenin fëmijë, përfshi edhe nga jetimoret.
 

Ligji parashikon ndëshkime prej pesë deri në 15 vjet burgim për trafikimin e personave; shtatë deri 15 vjet burgim për trafikim të grave për prostitucion; dhe 15 deri 20 vjet burgim për trafikimin e të miturve. Rrethanat rënduese, të tilla si rrëmbimi apo vdekja e viktimës, mund të rrisin masën e ndëshkimit në një maksimum prej burgimi të përjetshëm. Dënimet me burgim mund të shtohen me gjoba prej 4,000 deri 6,000 dollarë (400,000 deri 600,000 lekë) për shfrytëzim seksual të një gruaje. Ligji parashikon që një zyrtar qeveritar dënuar për shfrytëzim të prostitucionit të marrë 125 përqind të ndëshkimit standard. Ligji gjithashtu kërkon sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që burojnë nga krimi i organizuar dhe trafikimi. Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara administron prona të sekuestruara dhe të konfiskuara, përfshi ato të personave të gjetur fajtorë për krime të lidhura me trafikimin. Pavarësisht nga një numër sekuestrimesh të urdhëruara nga gjykatat gjatë vitit, nuk pati raste të pasurive të marra që të likuidoheshin me sukses dhe agjencia nuk shpërndau ndonjë fond për viktimat.
 
Procedimi i trafikantëve është përmirësuar. Në fund të vitit, 10 trafikantë femrash u dënuan dhe 27 raste të reja të dyshuara për trafikim u pikasën dhe çuan në arrestimin apo ndalimin 32 personave. Katër persona u dënuan për organizimin, drejtimin, apo financimin e trafikimit. Gjashtë persona u dënuan për akuza të lidhura me trafikim fëmijësh dhe u zbuluan tre raste të reja të dyshuara për trafikim fëmijësh, duke çuar në arrestimin e katër personave. Në një çështje të lidhur ngushtë me trafikimin, 66 persona u dënuan për ofrimin e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe 132 raste të reja u pikasën, duke çuar në arrestimin apo ndaliin e 168 personave. Gjithashtu, 37 persona u dënuan për shfrytëzim të rënduar të prostitucionit brenda vendit dhe 24 raste të reja u pikasën duke çuar në arrestimin e 29 personave.
 
Autoritetet shpesh liruan trafikantët e arrestuar për shkak të të dhënave të pamjaftueshme ose, nëse ishin proceduar, i akuzonin për krime më të lehta, ose u jepnin më pak se dënimi minimal për trafikim.
 

Vendi ka një strategji dhe një plan veprimi kundër trafikimit të fëmijëve bazuar mbi udhëzimet e UNICEF që synojnë të parandalojnë rekrutimin e viktimave të mundshme dhe të mbrojnë viktimat, përfshi ato të kthyera nga jashtë. Strategjia dhe plani gjithashtu paraqesin përqasjen e qeverisë ndaj ndjekjes penale të trafikantëve. Qeveria ka një zëvendës minister me kohë të plotë për antitrafikimin në Ministrinë e Brendshme, e cila është e ngarkuar për bashkërendimin e zbatimit të strategjisë. Qeveria nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi dypalëshe kundër trafikimit të fëmijëve me qeverinë greke dhe ngriti një Mekanizëm Kombëtar Referimi për riintegrimin e viktimave në shoqëri. Në një përpjekje për t'i zhvendosur përpjekjet antitrafikim jashtë kryeqytetit drejt zonave rurale që janë të prekura më rëndë, qeveria gjithashtu ngriti në korrik komitete rajonale në 12 prefekturat e vendit.

 
Gjatë vitit, qeveria zgjeroi zbatimin e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve duke ngritur njësinë e mbrojtjes së dëshmitarëve në nivel Drejtorie për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, vendosur brenda policisë së shtetit. Në vitin 2005, qeveria gjithashtu emëroi një komision, të përbërë nga një prokuror, një gjykatës, dhe zyrtarë policie për të vlerësuar aplikimet për pranim në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Qeveria buxhetoi $207,627 dollarë (20,762,700 lekë) për mbrojtjen e dëshmitarëve gjatë vitit, duke përfaqësuar kështu një rritje 20-fish në krahasim me fondet e vitit 2005.
 
Në kontrast me vitet e mëparshme, nuk pati raportime për raste të përfshirjes së drejpërdrejtë të policisë në trafikim. Megjithatë, oficerët e policisë vazhduan të ishin të përfshirë në forma të ndryshme të korrupsionit të lidhur me trafikimin, pavarësisht nga përpjekjet e vendosura të Zyrës së Kontrollit të Brendshëm dhe Shërbimit Informativ Shtetëror për ta trajtuar këtë problem (shih seksioni 1.d.).
 
Qeveria ofroi disa shërbime të kufizuara për viktimat e trafikimit, duke administruar një strehë pranë Tiranës dhe një mekanizëm kombëtar referimi që mundësonte autoritetet të ndanin të dhëna në mënyrë konfidenciale mbi viktimat që ktheheshin në vend. Autoriteti Përgjegjës, krijuar rishtas, gjithashtu ndante të dhënat me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, qeverinë dhe strehat e OJQ-ve, për të siguruar vazhdimin e mbështetjes dhe ndihmës për viktimat. Në përputhje me udhëzimet e miratuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë mbi trajtimin e personave të kthyer, autoritetet në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit zhvilluan procedura vendore duke përdorur një mjedis të posaçëm për pritje. Këto procedura përfshinin pjesëmarrjen nga Policia e Kufirit dhe Migracionit dhe, hera herës, punonjës të Shërbimit Social Shtetëror dhe përfaqësues nga Policia Anti-Trafikim. Procedura vendore janë miratuar gjithashtu edhe për përdorim në disa pika kalimi kufiri tokësore. Këto procedura të reja janë në përdorim, megjithatë, transferimet e fundit mes oficerëve të Policisë së Kufirit dhe Migracionit shkaktoi konfuzion në to.
 
Disa OJQ ishin aktive në trajtimin e nevojave të viktimave. IOM administronte një qendër riintegrimi në Tiranë që ofronte këshillim dhe shërbime mjekësore, trainime për punë, si dhe asistencë ligjore. Streha Vatra, një OJQ në Vlorë, dhe Streha shtetërore Linza ofronin shërbime të ngjashme. Të dyja strehat raportuan që një përqindje e madhe e rasteve të tyre gjatë vitit kishin të bënin me viktima të deportuara nga vende të tjera europiane.
 
Trajtimi i grave të trafikuara nga policia vazhdoi të përmirësohej gjatë vitit; megjithatë, femrat e huaja të ndaluara nga policia, në disa raste, nuk kishin shërbime përkthimi dhe nuk kishin mundësi zgjedhje avokatësh. Në përgjithësi, femrave të huaja që besoheshin se ishin viktima të trafikimit u jepej strehim i përkohshëm dhe vendoseshin në streha në pritje të riatdhesimit në vendin e tyre të origjinës.
 
Viktimat e trafikimit shpesh përballeshin me stigmatizim të madh nga familjet e tyre dhe shoqëria. Sipas Strehës Vatra, mbrojtja e viktimave të kthyera të trafikimit që denonconing trafikantët e tyre mbeti një problem serioz. Streha raportoi se dy viktima të kthyera u vranë nga trafikantët e tyre. në një rast, viktima ia raportoi kërcënimet policisë vendore, e cila dështoi t'i merrte shqetësimet e saj seriozisht. Policia u akuzua për neglizhencë në përgjigje.
 
Ritrafikimi ishte një problem domethënës, me 85 nga 288 viktima të strehuara tek Strehat Vatra, Tjeter Vision, dhe Të Ndryshëm e të Barabartë gjatë vitit që raportuan se kishin qenë trafikuar të paktën dy herë më parë. Disa prej viktimave ishin nën kërcënimin e vazhdueshëm të kundravajtësve. Duke cituar shqetësime konfidencialiteti, një strehë e katërt që ofronte shërbime për viktimat e trafikimit, Streha shtetërore Linza, vendosi të mos jepte të dhëna në lidhje me viktimat. Nga 288 viktimat në streha, 28 ishin trafikuar brenda vendit dhe pjesa tjetër ishin shtetase të kthyera nga vende të tjera. 
 
OJQ vendase dhe ndërkombëtare kryen pjesën më të madhe të programeve të ndërgjegjësimit mbi trafikimin në vend. Gjatë vitit, qeveria e re filloi një program ambicioz ndërgjegjësimi antitrafikim në shkolla dhe programe të arsimit të mesëm dhe po punonte nëpërmjet zyrave të punësimit të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta mbi një nismë për migracion dhe punësim jashtë të sigurtë, e cila përfshinte një modulë antitrafikim. Në nëntor, qeveria vendosi një linjë telefonike antitrafikim dhe raportoi se deri në fund të vitit kishte marrë dhjetëra telefonata.
  
Personat me Paaftësi
 
Kushtetuta dhe ligji ndalojnë diskriminimin kundër personave me paaftësi; megjithatë, pati një nivel diskriminimi kundër personave me paaftësi në punësim, arsimim, akses ndaj kujdesit shëndetësor, dhe sigurimit të shërbimeve të tjera shtetërore. Varfëria e përhapur gjerësisht, kushtet e parregulluara të punës, dhe kujdesi i dobët mjekësor paraqisnin probleme domethënëse për shumë persona me paaftësi. Në shtator, qeveria përfundoi Strategjinë Kombëtare për Personat Handikapë, e cila paraqet përparësitë dhe planin e veprimit të qeverisë për vitet e ardhshme.
 
Nga janari në shkurt, zyra e avokatit të popullit kreu një inspektim të institucioneve të shëndetit mendor. Në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, gjetën se pacientët kishin hyrë në institucionin e shëndetit mendor pa dokumentacion apo vendime gjykate, siç kërkon ligji. Institucionet e shëndetit mendor shpesh kishin mangësi personeli dhe mjekët në mënyrë nuk ishin neurologë apo psikiatër.
 
Qeveria pranoi që pranimi dhe nxjerrja e pacientëve nga institucionet e shëndetit mendor ishte problematik për shkak të mungesës së burimeve të mjaftueshme për të ofruar vlerësimet e duhura psikiatrike.
 
Në vitin 2004, Këshilli i Ministrave miratoi Rregullat e Planifikimit Urban dhe Arkitekturës për Personat me Paaftësi. Ligji kërkon që ndërtesat e reja të jenë të përdorshme nga personat me paaftësi. Megjithëse qeveria ka qenë e ngadaltë në zbatimin e ligjit, rregullat kanë rritur ndërgjegjësimin për nevojën për t'i bërë strukturat e reja të përdorshme për personat me paaftësi, duke bërë kështu që ndërtuesit të përfshijnë veçoritë e përshtatshme në projektet e reja.
 
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, autoritetet zgjedhore u ofruan personave me paaftësi shërbime për herë të parë në historinë e vendit. Përmirësimet në Kodin Zgjedhor bënë të mundur përdorimin e vendit të fshehtë të votimit nga karriket me rrota dhe lehtësime të posaçme për të verbrit.
 
Pakicat Kombëtare/Racore/Etnike
 
Pati raportime për dhunë të policisë dhe diskriminim shoqëror kundër anëtarëve të grupeve të pakicave. Si pakica të dukshme, bashkësitë rome dhe egjiptiane ballkanase ishin të prekshme nga abuzimi e diskriminimi i konsiderueshëm shoqëror në mënyrë të përditshme.
 
Ligji lejon statusin e pakicës zyrtare për grupet kombëtare dhe grupet etno-gjuhësore. Grekët janë pakica më e madhe kombëtare, ndjekur nga grupe të vogla maqedonasish dhe malazezësh; arumunët (vllehët) dhe romët janë përkufizuar si grupe pakicash etno-gjuhësore. Qeveria nuk i ka ofruar statusin e pakicës bashkësisë egjiptiane ballkanike, duke i mohuar kështu mbrojtjet kushtetuese kundër diskriminimit, të cilat janë në dispozicion për grupe të tjera pakicash. Për t'u kualifikuar për statusin e pakicës sipas ligjit, një grup individësh duhet të ndajnë të njëjtën gjuhë (përveç shqipes), të kenë dokumentacion për të provuar origjinën apo identitetin kombëtar të dallueshëm, si dhe të kenë zakone e tradita të veçanta apo një lidhje me një shtet amë jashtë vendit. Qeveria pohoi se egjiptianët ballkanas nuk përmbushnin disa kritere, të tilla si gjuha dhe traditat e veçanta dhe i konsideronte një "bashkësi." Nefreta, një OJQ egjiptiane ballkanase, pohoi që bashkësia ka një kulturë, traditë, dhe histori që janë të veçanta nga çdo grup tjetër në vend, dhe që egjiptianët ballkanikë janë të dallueshëm edhe nga pikëpamja racore.
 
Gjatë vitit, pati raportime që policia rrahu romë dhe egjiptianë ballkanikë. Nefreta raportoi që të paktën në tri raste, egjiptianët ballkanikë u arrestuan, ndaluan apo abuzuan nga policia në mënyrë arbitrare. Sipas Nefreta, të tria rastet iu raportuan prokurorisë dhe avokatit të popullit, por ankesat nuk u ndoqën.
 
Pati ankesa se policia zhvendosi familje rome dhe egjiptiane ballkanike nga shtëpitë e tyre. Sipas Amaro Drom, një OJQ që punon me popullsinë rome, në korrik, pati dy sulme kundër bashkësive rome dhe egjiptiane ballkanike në Elbasan, të dyja nxitur nga nxjerrja e tyre me forcë nga toka që kishin zënë në mënyrë të jashtëligjshme. Në rastin e parë, u zhvendosën 45 familje dhe 120 individë u lanë pa shtëpi kur autoritetet shkatërruan shtëpitë e tyre për të hapur rrugën për ndërtimin e një pallati banimi. Disa ditë më pas, një treg i hapur rom u shkatërrua pa njoftim në mes të natës, duke lënë 450 tregtarë pa burimet e tyre të jetesës. Bashkia propozoi një vendndodhje të re që romët e kanë refuzuar sepse ishte tepër larg qytetit. Disa prej të zhvendosurve gjetën shtëpi të reja në Elbasan ndërsa pjesa tjetër lëvizën në qytete të tjera.
 
Në vitin 2005, Bashkia e Tiranës shkatërroi shtëpitë e 18 familjeve rome prej 150 personash, sipas raportimeve pa njoftim, duke i lënë të pastrehë në mes të dimrit. Bashkia shkatërroi shtëpitë, të vendosura në një vendndodhje pranë lumit Lana, sepse ishin të paligjshme dhe mund të bllokonin ekzekutimin e planit të saj të rregullimit të territorit. Sipas Amaro Drom, Bashkia e Tiranës në fillim u ofroi personave të zhvendosur një vendndodhje të re jashtë qendrës së qytetit, por dështoi në mbajtjen e këtij premtimi. Bashkia më pas ofroi t'i vendoste në shtëpi të lëvizshme, një ofertë që romët e refuzuan. Një rast i ngjashëm rezultoi në nxjerrjen e 51 familjeve rome në vitin 2004.
 
Bashkësitë rome dhe egjiptiane ballkanike ishin mes grupeve më të neglizhuara të vendit politikisht, ekonomikisht dhe shoqërisht. Anëtarë të bashkësisë egjiptiane ballkanike paten prirjen të vendoseshin në zona urbane dhe përgjithësisht ishin më të integruar në ekonomi se sa romët. Përveç diskriminimit shoqëror të përhapur gjerësisht, këto grupe përgjithësisht vuanin nga analfabetizmi i lartë, sidomos mes fëmijëve, kushte të këqija shëndetësore, mungesë shkollimi, dhe disavantazhe të theksuara ekonomike. Sipas një studimi të vitit 2006 të Bankës Botërore dhe Programit të Zhvillimit të OKB-së, afërsisht 80 përqind e romëve jetonin në varfëri ekstreme, në krahasim me 20 deri 30 përqind të pjesës tjetër të popullsisë së vendit. Niveli i papunësisë në këtë grup ishte 71 përqind, afro 12 herë më i lartë se sa për pjesën tjetër të popullsisë dhe romët kishin një jetëgjatësi mesatare 15 vjet më të ulët se sa jo-romët. Qeveria nuk e financoi Strategjinë e saj Kombëtare për Romët, e cila synonte të përmirësonte jetesën e bashkësisë.
 
Ngaqë bashkësia egjiptiane ballkanike nuk njihet si pakicë zyrtare, ashtu si romët, këta nuk ishin të përfshirë specifikisht në strategjitë qeveritare për lehtësimin e varfërisë.
 
Pakica etnike greke ndoqi pakënaqësitë pranë qeverisë në lidhje me zonat zgjedhore, arsimin në gjuhën greke, të drejtat e pronësisë, dhe dokumentat qeveritare. Udhëheqësit e pakicës cituan mungesën e vullnetit të qeverisë për të njohur qytete etnike greke jashtë "zonave minoritare" të kohës së komunizmit; për të përdorur greqishten në dokumentat zyrtare dhe në tabelat publike në zonat etnike greke, për të përcaktuar përmasat e popullsisë etnike greke, dhe për të përfshirë një numër më të lartë grekësh etnikë në administratën publike.
 
Ndërkohë që kishte shkolla fillore publike në gjuhën greke në pjesën jugore të vendit ku jetojnë shumica e grekëve etnikë, shoqata kulturore greke Omonia u ankua që bashkësia kishte nevojë për më shumë klasa si brenda ashtu edhe jashtë zonave minoritare, për shkak të klasave të tejmbushura dhe kërkesave të papërmbushura. Çdo fshat në zonat greke kishte shkollën e vet fillore-nëntë-vjeçare në gjuhën greke, pavarësisht nga numri i nxënësve dhe në Gjirokastër kishte dy shkolla të mesme në gjuhën greke. Gjatë vitit, qeveria dha një licensë për një shkollë në jug jashtë zonës greke. Gjatë një vizite të kryeministrit në Greqi në shtator, qeveria ra dakort të bashkëpunonte për ndërtimin e një universiteti në gjuhën greke në Gjirokastër, për t'u financuar nga qeveria greke.
 
Abuzime dhe Diskriminime të Tjera Shoqërore
 

OJQ-të pretenduan se policia vuri në shënjestër bashkësinë homoseksuale të vendit për abuzim. Sipas Shoqatës Shqiptare të Homoseksualëve, policia shpesh arrestoi në mënyrë arbitrare homoseksualët dhe më pas i abuzoi fizikisht dhe verbalisht gjatë ndalimit të tyre. Në gusht, policia arrestoi sekretarin e përgjithshëm të Gay Albania, një OJQ për të drejtat e homoseksualëve, dhe tri të tjerë me akuza prostitucioni. GSHDNJ kreu një investigim dhe raportoi që gjatë ndalimit, katër personat ishin keqtrajtuar nga të burgosur të tjerë dhe ishin ofenduar nga forcat e burgut. GSHDNJ gjithashtu raportoi që mbulimi nga media i këtij arrestimi nuk respektoi privatësinë e të arrestuarve, përfshi edhe statusin e tyre HIV, dhe u manipulua për të përhapur stereotype anti-homoseksuale dhe diskriminim të mëtejshëm. Një raport i Programit të Zhvillimit të OKB në 2006 mbi HIV/SIDA në vend pohonte që shtetasit përftonin pak konfidencialitet në rezultatet e testeve të tyre për HIV. Stigmatizimi shoqëror dhe diskriminimi i ashpër kundër personave me HIV/SIDA ishin gjithashtu të zakonshëm.

 
Sipas zyrës së avokatit të popullit, në vitin 2005, policia në komisariatin e policisë në Tiranë ndaluan, ofenduan dhe keqtrajtuan fizikisht një anëtar të shoqatës Gay Albania. Ekspertët mjekësorë verifikuan keqtrajtimin dhe zyra e avokatit të popullit filloi një hetim. Deri në fund të vitit, nuk ishte ndërmarrë ndonjë veprim kundër policisë.
 
Seksioni 6 Të Drejtat e Punëtorëve
 
a.     E Drejta e Shoqatës
 
Punëtorët kishin të drejtën të formonin sindikata të pavarura dhe e ushtruan këtë të drejtë në praktikë; megjithatë, pjesëtarëve të ushtrisë u ndalohet të bashkohen në sindikata. Punonjësit civilë të qeverisë mund të bashkohen në sindikata por nuk kanë të drejtën të kryejnë grevë. Afërsisht 20 përqind e forcave të punës ishin të sindikalizuara.
 
Ligji nuk ndalon diskriminimin anti-sindikatë; megjithatë, nuk pati raportime për diskriminime të tilla në praktikë.
 
b.     E Drejta për T'u Organizuar dhe e Kontratave Kolektive
 
Nënshtetasit në të gjitha fushat e punësimit, përveç anëtarëve me uniformë të forcave të armatosura dhe disa punonjës gjykatash, kanë të drejtën kushtetuese për t'u organizuar dhe për bisedime kolektive, dhe ligji përcakton procedura për mbrojten e të drejtave të punëtorëve nëpërmjet marrëveshjeve për punësim kolektiv; megjithatë, sindikatat funksiononin nga pozita të dobëta. Në praktikë, sindikatat që përfaqësonin punonjësit e sektorit publik negociuan drejtpërsëdrejti me qeverinë. Kontratat kolektive të efektshme mbetën të vështira, dhe zbatimi i marrëveshjeve ishte i vështirë.
 
Ligji parashikon që të gjithë punonjësit, me përjashtim të punonjësve të shërbimit civil, ushtarakëve me uniformë, policisë dhe disa funksionarëve të gjykatave, kanë të drejtën të hyjnë në grevë dhe punojësit e ushtruan këtë të drejtë. Ligji i ndalon grevat që deklarohen hapur se janë të motivuara politikisht ose që gjykohen si të tilla nga gjykatat.
 
Partitë opozitare pretenduan se afërsisht 10,000 nëpunës civil u pushuan nga puna pas ardhjes së qeverisë së re në 2005. Kryetari i Komisionit të Shërbimit Civil, sidoqoftë raportoi se vetëm 425 vetë ishin pushuar nga administrata publike. Deri në shtator 194 ankesa për pushim të paligjshën nga puna ishin paraqitur pranë Zyrës së Avokatit të Popullit. Zyra e Avokatit të Popullit arriti në përfundimin se, me disa përjashtime, largimet nga puna shkonin kundër procedurave të përcaktuara. Në korrik pas një padie të ngritur nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Zyra e Avokatit të Popullit, Gjykata Kushtetuese rrëzoi rregullat anti-nepotike të qeverisë mbi të cilat ishin bazuar shumë prej pushimeve nga puna. Në përfundimin e arritur, gjykata vendosi se pushime të tilla nga puna përbënin një shkelje të së drejtës së punonjësve për të zgjedhur vendin e tyre të punës.
 
Deri afër fundit të vitit Parku i Transportit Urban në Tiranë nuk i kishte kthyer në punë 10 punonjës që kishin bërë një grevë urie pesë-ditore në 2004 për të protestuar kundër pushimit të paligjshëm nga puna. Drejtori i Parkut pretendoi se greva shkelte kontratën e punësimit. Sidoqoftë, Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut dhe Avokati i Popullit deklaruan se greva ishte e ligjshme dhe se Drejtori i Parkut nuk i ishte bindur ligjit në pushimin e punonjësve nga puna. Çështja u çua në gjykatë dhe punonjësit i humbën pretendimet e tyre.
 
 
c. Ndalimi i Punës të Detyruar ose me Forcë
 
Ligji ndalon punën e detyruar ose me forcë, përfshirë atë të fëmijëve; sidoqoftë, praktika të tilla kanë ndodhur (shih seksionet 5 dhe 6.d.).
 
d. Ndalimi i Punës së të Miturve dhe Mosha Minimale për Punësim
 
Ligji cakton moshën minimale të punësimit në 14 vjeç dhe përcakton sasinë dhe llojin e punës që mund të kryhet nga fëmijët nën 18 vjeç. Fëmijët midis moshës 14 dhe 16 vjeç ligjërisht mund të punojnë me kohë të pjesshme gjatë pushimeve të verës; fëmijët midis 16 dhe 18 vjeç mund të punojnë gjatë gjithë vitit në disa punë të caktuara. Ligji parashikon që Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta të zbatojë kërkesën e moshës minimale nëpërmjet gjykatave; sidoqoftë, nuk ka të dhëna se zbatimi është kryer. Inspektimet e punës në fabrika në 2005 gjetën 83 raste të punësimit në moshë të mitur. Megjithatë, inspektorët e punës hetuan vetëm sektorin formal të punës, ndërsa pjesa më e madhe e punës së fëmijëve ndodhte në sektorin informal. Pjesa më e madhe e fabrikave të inspektuara ishin ato të prodhimit të këpucëve dhe tekstilit. Më shumë se 70% e punëtorëve në moshë të mitur ishin vajza. Organizatat jo-qeveritare raportuan se inspektorë të punës të ngarkuar me hetimin e ankesave për punësimin e fëmijëve nuk vunë gjoba ose ndëshkime dhe as ndërmorën veprime ligjore kundër atyre që shkelnin ligjet për punësimin e fëmijëve.
 
CHRCA përllogariti se rreth 50,000 fëmijë nën moshën 18 vjeç punonin me kohë të pjesshme ose të plotë. UNICEF përllogariti se 23% e fëmijëve nga 5 deri në 14 vjeç në vend punonin në vitet 1999 - 2003; fëmijët që konsideroheshin si të punësuar përfshinin ata që kryenin një punë të paguar ose të papaguar për dikë që nuk ishte anëtar i familjes, ata të cilët kryenin më shumë se katër punë shtëpie ose që kryenin punë të tjera në familje.
 
Sipas CHRCA, pjesa më e madhe e fëmijëve punëtorë punojnë si shitës në rrugë ose dyqane, lypësa, fermerë ose barinj, shpërndarës droge, në lavazhe makine, si punëtorë të fabrikave tekstile, dhe lustraxhinj, dhe disa prej tyre punonin deri në 16 orë në ditë. Në Tiranë dhe qytete të tjera, fëmijët, shumica e tyre fëmijë romë, punonin si lypës ose shisnin cigare dhe sende të tjera në rrugë; në përgjithësi policia e anashkalonte këtë praktikë. CHRCA vuri në dukje se ka rreth 1,000 fëmijë rrugësh në Tiranë. Në Tiranë numri i fëmijëve që kanë rënë viktima të prostitucionit dhe formave të tjera të shfrytëzimit u rrit. Fëmijë u trafikuan për shfrytëzim në prostitucion dhe punë të detyruar (shih seksionin 5).
 
e.     Kushte të Pranueshme në Punë
 
Paga minimale kombëtare ishte $145 (14,000 lekë) në muaj. Megjithatë nuk ishte e mjaftueshme për të siguruar një standard të denjë jetese për një punonjës dhe familjen e tij. Rroga mesatare për punonjësit e qeverisë ishte rreth $300 (28,950 lekë) në muaj. Sipas një raporti të vitit 2005 nga UNDP, 25 deri në 30% e popullsisë jeton nën kufirin zyrtar të varfërisë prej $47 (4,720 lekë) për muaj. Një tjetër 30% jetojnë shumë afër këtij kufiri. Instituti Shqiptar i Statistikave raportoi se rrogat mesatare mujore në sektorin publik u rritën me 14.4% nga 2003 në 2004. 
 
Ligji përcakton javë pune 40-orëshe; megjithatë, java tipike e punës përcaktohej nga marrëveshje kolektive ose individuale. Shumë persona punojnë gjashtë ditë në javë. Ligji kërkon pagesën e orëve jashtë orarit dhe periudhave të pushimit; sidoqoftë, këto parashikime nuk u vërejtën gjithmonë në praktikë. Qeveria nuk kishte caktuar standarde për minimumin e pushimit për javë, kufizime mbi maksimumin e numrit të orëve të punës për javë, ose shumën e pagesës shtesë për orët jashtë orarit dhe nuk ndalonte orët e tepruara të punës së detyrueshme jashtë orarit.
 

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta është përgjegjëse për zbatimin e standardeve qeveritare të shëndetit dhe sigurisë dhe rregullave; sidoqoftë, këto rregulla në përgjithësi nuk zbatoheshin në praktikë. Kushtet në vendin e punës shpesh ishin shumë të këqija dhe në disa raste të rrezikshme. Gjatë vitit media raportoi një numër rastesh të vdekjeve të lidhura me vendin e punës, veçanërisht në industrinë e ndërtimit dhe minierave. Ligji nuk parashikon për punonjësit të drejtën për t’u larguar nga situata të rrezikshme pa vënë në pikëpyetje punësimin e tyre.

 
 

Kthehu Lart ^

Mjetet e Faqes:

Printer_icon.gif Printoni artikullin



 

    Linke të jashtme në faqe të tjera interneti nuk duhen interpretuar si mbështetje e pikëpamjeve apo politikave të fshehtësisë që përfshihen ketu.

Ambasada E Shteteve Të Bashkuara
Turn Admin On!