jump over navigation bar
Embassy SealDepartamenti i Shtetit I SHBA
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Shkup, Republika e Maqedonisë flag graphic
Programe, Ngjarje dhe Informata
 
  Deklarim i Misionit Pozitat kyçe të ambasadës Çështje me Interes Deklarata për shtyp Raporte vjetore Qendra e burimeve të informacionit Programi i Këndit Amerikan Këmbim Studentësh Programi I Granteve të Vogla Arkiva

Article

 

Marrëveshja e Majit nuk zëvendëson Marrëveshjen e Ohrit

 

Koha:  Cili ështe komenti Juaj për shkrimet e fundit në media për ikjen e parakohshme nga posti.  Ju përfundon mandate apo bëhet fjalë për keqinterpretim?

 

Ambasadorja Xhilian Millovanoviq:  I kam parë raportet ne media, dhe nëse mediat dijnë diçka, atëherë dijnë më tepër se unë.  Sidoqoftë, mandati ynë zakonisht zgjat afër tre vjet dhe është normal të pritet se gjatë vitit që vjen unë do të shkoj në pozitë të re, dhe person i ri do të vijë në Maqedoni.  Ende nuk ka vendim në lidhje me këtë.  Pritjet e mija janë që të jam këtu edhe gjatë verës. 

 

Koha:  Zonja ambasadore, Ju keni shfaqur qëndrimin se në muajt e parë të vitit të ardhshëm, liderët politikë duhet të gjejnë kompromis për Ligjin për gjuhën shqipe dhe dëshmorët e luftës? Sa jeni të sigurtë se kjo mund të ndodhë?

 

Ambasadorja Xhilian Millovanoviq:  Ne kemi thënë se duhet të vazhdojë plotësimi i dy elementeve- kompensimi për viktimat e konfliktit të 2001- të njohur edhe si luftëtarë të UCK-së- dhe familjet e tyre, dhe poashtu përgatitja e së paku draftit të parë të ligjit për gjuhën.  Shpresojmë se është e mundur këto dy qëllime të realizohen në fillim të vitit të ardhshëm.  Mendoj se edhe bashkëpuntorët e kryeministrit edhe BDI kanë zhvilluar takime konstruktive për një kohë, dhe supozoj se poashtu janë  konsultuar me miq dhe kolegë politik sa i përket drejtimit që e kanë marrë, dhe po, shpresojmë se do të arrihet marrëveshje për një pako sociale për viktimat e 2001 dhe për një bazë, domëthënë 50 ose 60 përqind i një ligji për gjuhën, i cili pastaj do të shqyrtohet në Parlament. 

 

Koha:  Si e komentoni faktin që LSDM nuk dëshiron të kyçet në këtë proces?

 

Ambasadorja Xhilian Millovanoviq :  Ky process filloi me Marrëveshjen e 29 majit që përfshinte kryeministrin Gruevski dhe Ali Ahmetin, si dhe njerëzit që ata i caktuan të marrin pjesë, dhe  qëllimi ishte që kjo të jetë mënyrë për të arritur deri te kompromis që do të mundësonte gjetje të zgjidhjeve.  Çëshjta e kyçjes të të tjerëve në proces është diçka që vjen më vonë.  Poashtu mbahen takimet e liderëve të cilat janë të suksesshme sa i përket mbledhjes (takimit) të palëve.  Mendoj se mund të përdoren mekanizma të ndryshëm për çështje të ndryshme.  Takimet e liderëve duket se funksionojnë mirë për disa çështje, dhe në ndërkohë ka takime bilaterale për dy të tjerat [çështje]. 

 

Koha:  A mos po lihet qëllimisht hapësirë që me mospërfshirjen e të gjitha partive në këtë proces, ndonjë prej tyre të poentojë politikisht para elektoratit? 

 

Ambasadorja Xhilian Millovanoviq :  Para së gjithash, çka mendoni me mospërfshirje të të gjitha partive?  A flisni për bisedimet Gruevski Ahmeti?

 

Koha:  LSDM, për shembull.

 

Ambasadorja Xhilian Millovanoviq :  Mirëpo LSDM-ja vet nuk dëshiron të participojë, pra nuk është çështje e mospërfshirjes.  LSDM-ja nuk deshte të marrë pjesë në bisedimet për çështje të caktuar, pra nuk flitet për përjashtim të ndonjë pale nga procesi.  Sidoqoftë, esenca është të gjinden mekanizma për punë, mekanizma që janë praktik, që i lejojnë palët të bisedojnë mes vete dhe të gjejnë zgjidhje.  Ndonjëherë zgjidhjet nuk mund plotësisht t’i implementojnë vetëm partitë të cilat i kanë biseduar.  Për shembull, ligjet shkojnë në kuvend para se të miratohen dhe në fund involvohen të gjithë.  Mirëpo deri atje nuk mund të arrihet po mos ketë bisedime të suksesshme dhe kompromise mes palëve kyç, që gjërat të mund të lëvizin para. 

 

Koha:  Pse Marrëveshja e Ohrit u zëvendësua me Marrëveshjen e Majit?

 

Ambasadorja Xhilian Millovanoviq :  Marrëveshja e Ohrit nuk u zëvendësua.  Përsëri,  Marrëveshja e Majit ishte marrëveshje mes të dyve për të gjetur mekanizëm për zgjidhje të çështjeve, përndryshe gjërat do të vazhdonin të jenë të bllokuara.  Kjo nuk ka të bëjë me zëvendësim të Marrëveshjes së Ohrit.  Siç e dini, SHBA së bashku me BE dhe NATO luajtën rol kyç në Marrëveshjen e Ohrit.  Interesi ynë për të parë implementimin e Marrëveshjes vazhdon.  Çështja e Marrëveshjes së Ohrit nuk është diçka që mund të realizohet brenda disa muajve, po ndoshta edhe disa viteve.  Nëse e marr vendin tim si shembull… sa kohë kemi punuar për të sjellur demokraci dhe barazi më të madhe për qytetarët tonë?  Shumë dekada, dhe ende nuk e kemi realizuar këtë plotësisht.  Pra, Marrëveshja Kornizë është proces që vazhdon, dhe ajo nuk është zëvendësuar me tjetër. 

 

Koha:  Pse pako sociale e jo ligj për ish-luftëtarët e UÇK-së?

 

Ambasadorja Xhilian Millovanoviq:  Qëllimi i afrimit të palëve është për të gjetur zgjidhje.  Për zgjidhje nevojitet kompromis.  Këtu kisha komentuar se kam vënë re që, për fat të keq, kompromisi shpesh kuptohet apo paraqitet si tradhëti, shkelje e principeve apo dorrëzim.  Kjo nuk është esenca e kompromisit.  Kompromisi është- unë jap diçka, tjetri jep diçka, dhe së bashku arrijmë ndonjë qëllim.  Fitimi nuk është 100 përqind për asnjërën anë, ndoshta është 85 përqind, mirëpo progresië është i gjithanshëm.  Pra, pse do të ishte pako sociale- për arsye se aty qëndron kompromisi.  Nevojtarëve u nevojitet ndihmë, dhe si qytetarë të këtij shteti ata kanë të drejtë për ndihmë nga shteti, dhe kjo ndihmë, sipas ligjeve ekzistuese, mund t’u jepet nëpërmjet pakos. 

 

 

Koha:  Kur kemi parasysh se me Marrëveshjen e Ohrit parashihej që të gjitha çështjet që dalin nga kjo Marrëveshje, duhej të zbatoheshin deri në fund të vitit 2004, pse atëherë gjuha shqipe dhe çështja e ish-luftëtarëve mbetën pa u zgjidhur gjatë mandatit të kaluar?

 

Ambasadorja Xhilian Millovanoviq:  Para së gjithash mendoj se nuk është e frytshme të shikohet prapa, është mirë të shikohet kah ardhmëria.  Do t’i kthehem komentit që e dhash se Marrëveshja Kornizë është proces që vazhdon dhe, bazuar edhe në eksperiencën tonë në SHBA, çështjet siç është arritja e barazisë dhe mundësive të barabarta për  gjithë qytetarët, nuk zgjidhen brenda dy-tre viteve.   Pra, ky do të jetë proces që vazhdon.  Ajo që u arrit është se ligjet që përfshihen në Marrëveshjen Kornizë u përfunduan deri në vitin 2005.  Kuptohet se procesi i implementimit, realizimit dhe institucionalizimit të praktikave që dalin nga Marrëveshja Kornizë është diçka që vazhdon. 

 

Koha:  Qeveria amerikane ka përshëndetur aksionit policor në Brodec. Si i komentoni kritikat që nga shumë parti tjera i bëhen këtij aksioni?

 

Ambasadorja Xhilian Millovanoviq:  Aksioni në Brodec siç kemi thënë ishte legjitim, i planifikuar me kujdes dhe i realizuar nga profesionistë.  Për fat të keq mbaroi me vrasjen e disa personave.  Poashtu rezultoi me burgosje të disa personave.  Çdo herë që policia nxjerr armët, çdo herë kur policia përdor armët, është praktikë që të shqyrtohet në Ministri.  E njejta, ndodh edhe në SHBA. Është shumë me rëndësi që të ketë hetim të kujdesshëm, për t’u siguruar se është vepruar si duhet, dhe nëse nuk është vepruar si duhet, të mësohet prej gabimeve.  Sa i përket pëlqimit apo vlerësimeve të të tjerëve, nuk kisha komentuar për këtë , mirëpo përsëris se ne e konsiderojmë aksionin të jetë legjitim dhe se është me rëndësi që sistemi plotësisht të funksionojë. Edhe pse kjo nuk ka lidhje me Brodecin, kisha përmendur rastet e fundit ku policë kanë përdorur armë, në një rast kundër njëri tjetrit, për të përsëritur se sistemet janë shumë të rëndësishme dhe se besoj që ministria për punë të brendshme edhe në këto raste do të kryejë hetim të kujdesshëm, për të kuptuar se çka ka ndodhur.

 

Koha:  Çka do të ndodhë me Kosovën? A ka gjasa që situata atje të dalë jashtë kontrolli?

 

Ambasadorja Xhilian Millovanoviq:  Nuk mendoj se diçka do të dalë jasht kontrolli.  Siç e dini, bisedimet në Treshen kanë përfundua dhe tash shpresojmë të punojmë me të gjitha palët, dhe me BE-në, për të arritur deri te statusi i Kosovës i cili, sipas SHBA duhet të jetë koherent, apo ndoshta edhe identik, me Planin e Ahtisarit.   Jemi në një fazë ku negociatat kanë mbaruar, statusi i tashëm nuk është i qëndrueshëm dhe në të ardhmen e afërme ai duhet të ndryshojë.  Tash mbetet që të gjitha palët të bashkëpunojnë dhe na inkurajon fakti se SHBA, BE dhe KB së bashku me NATO-n kishin bashkëpunim të suksesshëm.  Besojmë se punët do të shkojnë mirë dhe se përfundimisht, i gjithë rajoni, jo vetëm Kosova, do te kenë dobi. 

 

Koha:  A mund të ndodhë që Maqedonia të mbetet jashtë NATO-s shkaku i kontestit me Greqinë rreth emrit?

 

Ambasadorja Xhilian Millovanoviq:  Për SHBA Marrëveshja e 1995 mbetet në fuqi.  Kjo don të thotë se Maqedonia, në rast se kualifikohet për NATO, ka të drejtë të hyn si IRJM.  Në ndërkohë, procesi në KB duhet të vazhdojë.  A ka Greqia mundësinë të votojë kundër pranimit të Maqedonisë në NATO?  Po, për arsye se Greqia është shtet sovran, dhe çdo shtet sovran që është anëtar i NATO-s ka të drejtë të vendosë.  Ne besojmë dhe shpresojmë se përpjekjet që bëhen brenda procesit të Nimicit do të rezultojnë me vullnet të mirë për të gjetur zgjidhjen e nevojshme, jo me çdo kusht para prillit, por se do te ketë shenja gatishmërie për bashkëpunim, dhe se përfundimisht, nëse Maqedonia i plotëson kushtet, Greqia do të vendos se është në interes të saj si dhe të tjerëve, që Maqedonia të marrë ftesën.

 

Koha:  Për fund, a shpresoni se viti që vjen do të jetë më i suksesshëm për qytetarët e Maqedonisë?

 

Ambasadorja Xhilian Millovanoviq:  Sigurisht që shpresoj se do të jetë ashtu.  Mendoj se shumë njerëz bejnë përpjekje për të përmirësuar klimën ekonomike në vend, për të ndërtuar mbi bazat që i vendosi qeveria e kaluar mirëpo edhe për të vendosur baza të reja për të arritur më tepër sukses në të ardhmen.  Mendoj se është shumë me rëmndësi që të vazhdohet kështu dhe nuk shoh shkak të jetë ndryshe.  Shpresoj se do të jetë edhe më mirë, sidomos për rininë, për arsye se më kanë lënë përshtypje kualitetet e të rrinjve këtu- kanë interes, janë inteligjent, të arsimuar, njohin gjuhë të huaja, dëshirojnë të kontribuojnë për jetë më të mirë dhe për këtë shtet.  Shpresoj se në vitin e ri do të kenë mundësi për të realizuar këtë. 

 

 

###

back to top ^

Page Tools:

Printer_icon.gif Print this article



 

    Kjo Web faqe menaxhohet nga Departmenti i Shtetit të SHBA-ve.
    Linqet për faqe tjera të Internetit nuk duhet të kuptohen si përkrahje e pikpamjeve ose politikës së diskrecionit të paraqitura në ato sajte.


Ambasada e Shteteve të Bashkuara