Manifesti i Mozilla-s, v0.9

Hyrje

Interneti po bëhet gjithnjë e më tepër pjesë e rëndësishme e jetës sonë.

Projekti Mozilla është një bashkësi mbarëbotërore njerëzish që besojnë se të qenët i hapur, risia, dhe dhënia e mundësive janë kyçat e shëndetit të vazhdueshëm të Internetit. Punojmë së bashku që prej 1998, për të bërë të mundur që Interneti të zhvillohet i tillë që prej tij të përfitojnë të gjithë. Jemi më shumë të njohur për krijimin e shfletuesit Web Mozilla Firefox.

Për krijimin e programeve të cilësisë së parë dhe me burim të hapur, si dhe për zhvillimin e llojeve të reja të veprimtarive për bashkëpunim midis njerëzve, projekti Mozilla përdor metodën e punës në bashkësi. Krijojmë bashkësi personash të përfshirë në bërjen e Internetit më të mirë për të gjithë ne.

Si rrjedhojë e këtyre përpjekjeve, kemi përftuar një grup parimesh të cilat besojmë se janë kritike që Interneti të vazhdojë të sjellë përfitime si për të mirën e përbashkët, ashtu edhe për anën komerciale të jetës. Këto parime po i ravijëzojmë më poshtë.

Qëllimet e Manifestit janë:

  1. t'i japë formë përfytyrimit që bashkëpunëtorët e Mozilla-s dëshirojnë ta ndjekë Fondacioni Mozilla;
  2. t'u flitet si atyre që kanë, ashtu edhe atyre që nuk kanë njohje teknike;
  3. t'i bëjë pjesëmarrësit te Mozilla krenarë për çka bëjnë dhe t'i nxisë të vazhdojnë; dhe
  4. të furnizojë një kuadër për të tjerë persona që do të shtyjnë më para këtë përfytyrim të Internetit.

Këto parime nuk lulëzojnë vetë. Lypsen njerëz që ta bëjnë Internetin të hapur dhe dashamirës - njerëz që punojnë më vete, që punojnë tok në grupe, dhe që udhëheqin të tjerët. Fondacioni Mozilla i është përkushtuar shpënies më tej të parimeve të ravijëzuara te Manifesti Mozilla. Ftojmë edhe të tjerët të bashkohen me ne për ta bërë Internetin një vend akoma më të mirë për të tërë.

Parimet

  1. Interneti është pjesë e pandarë e jetës moderne–përbërës kyç në edukim, komunikim, bashkëpunim, biznes, dëfrim dhe në shoqërinë në tërësi.
  2. Interneti është burim i përbashkët mbarëbotëror dhe duhet të mbesë i hapur dhe i shfrytëzueshëm.
  3. Interneti duhet të pasurojë jetën e qenieve njerëzore.
  4. Siguria e individit në Internet është themelore dhe nuk mund të trajtohet si opsionale.
  5. Individit duhet t'i jepet mundësia të ngjizë vetë përvojën e tij në Internet.
  6. Efektshmëria e Internetit si burim i përbashkët varet nga ndërveprimi (protokolle, formate të dhënash, përmbajtje), risia dhe pjesëmarrja e decentralizuar anembanë botës.
  7. Programet e lira dhe me burim të hapur nxisin zhvillimin e Internetit si burim i përbashkët.
  8. Punimi me bazë bashkësinë, dhe i tejdukshëm, nxit pjesëmarrjen, përgjegjshmërinë dhe besimin.
  9. Ndërhyrjet komerciale në zhvillimin e Internetit sjell mjaft përfitime; një drejtpeshim midis synimeve komerciale dhe të mirës së përbashkët është kritik.
  10. Rritja e anëve të Internetit që lidhen me përfitimin e përbashkët është qëllim me rëndësi, ia vlen të harxhohet për të kohë, kujdes dhe përkushtim.

Shpënia më tej e Manifestit Mozilla

Ka plot rrugë të ndryshme për të shpënë më tej parimet e Manifestit Mozilla. Ne i shohim me sy të mirë një gamë të gjerë veprimtarish, dhe parashikojmë të njëjtën shkallë krijimtarie që bashkëpunëtorët e Mozilla-s kanë treguar edhe në fusha të tjera të projektit. Për persona të papërfshirë thellë në projektin Mozilla, një rrugë themelore dhe tepër e efektshme për të mbështetur Manifestin është të përdoren Mozilla Firefox-i dhe të tjerë produkte që mishërojnë parimet e Manifestit.

Zotimi i Fondacionit Mozilla

Fondacioni Mozilla zotohet të mbështesë Manifestin e Mozilla-s përgjatë veprimtarive të tij. Në veçanti:

Disa veprimtari të Fondacionit–hëpërhë krijimi, qarkullimi dhe nxitja e produkteve të konsumatorit–drejtohen së pari nga nëndegë në pronësi të plotë të Fondacionit Mozilla, Korporata Mozilla.

Ftesë

Fondacioni Mozilla fton gjithë të tjerët që mbështesin parimet e Manifestit Mozilla ta bashkohen me ne, dhe të gjejmë rrugë të reja për ta bërë realitet këtë përfytyrim të Internetit.